Hoti i kërkon qeverisë ta ulë akcizën në derivate: Të subvencionohen bujqit, përcaktimi i marzhës së fitimit është gabim

- Advertisement -

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar të ‘’gabuar’’ vendimin e qeverisë për të përcaktuar mazhët e fitimit për bizneset që merren me derivate, duke shtuar se ekonomitë si ajo e Kosovës preken më së shumti nga krizat e sotme, pasi që e njëjta është ekonomi që karakterizohet me import të lartë, dhe, me të ardhura të ulëta.

Hoti, ka vlerësuar se masa e qeverisë është e gabuar për dy arsye, duke thënë se, bizenet s’kanë nxitje që të ulin shpenzimet pasi që, sipas Hotit, caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Dhe së dyti, ka shtuar deputeti i LDK’së, arsyeja tjetër se pse vendimi i qeverisë është i gabuar, është sepse, intervenimet e tilla që në dukje tërheqëse për qytetarin, në fakt e përkeqësojnë situatën, dhe se konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në pak biznese.

‘‘E treta, duhet të ulet akciza në derivate, e cila mund të ulet deri në 36 cent për litër pa shkaktuar asnjë ndryshim në të hyrat buxhetore. Duke qenë se të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit, Qeveria ka mjaftueshëm hapësirë për të ulur akcizën proporcionalisht me rritjen e të hyrave të saj nga TVSH-ja shtesë që mbledh nga derivatet’’, ka shkruar Hoti mes tjerash.

Postimi:

Çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat po barten te çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se këto efekte zinxhirore janë relativisht të shpejta në mbarë botën. Pa asnjë dyshim, kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët.

Kosova nuk përbën përjashtim nga ky rregull dhe pasojat kanë filluar të ndihen gjerësisht. Praktikat ndërkombëtare tregojnë se në kriza të tilla vendet preken në mënyrë asimetrike. Ekonomitë që karakterizohen me import të lartë, në veçanti me import të energjisë, natyrshëm preken më së shumti. Ekonomitë me të ardhura të ulëta preken gjithashtu më shumë, pasi në këto ekonomi rreth 36 për qind e shpenzimeve të konsumit shkon për ushqime, krahasuar me 20 për qind në ekonomitë në zhvillim dhe 9 për qind në ekonomitë e avancuara (të dhëna nga FMN). Kosova i përmbush të dy kushtet për t’u renditur ndër ekonomitë që pritet të preken më së shumti nga kjo krizë.

Përse masa e ndërmarrë nga Qeveria është gabim?

Për t’u përballur me këtë krizë, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetëm një masë: ka përcaktuar marzhet e fitimit për bizneset që merren me derivate. Gama e gjerë e masave të nevojshme në raste të tilla nuk është shqyrtuar fare nga Qeveria. Kjo qasje është e çuditshme, kur kihet parasysh rritja e deritanishme prej 40 për qind e çmimit të derivateve.

Kjo masë e Qeverisë nuk është adekuate për dy arsye.

E para, caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo vetëm që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve.

E dyta, përvoja dëshmon se intervenimet e tilla, në dukje tërheqëse për qytetarin, e përkeqësojnë situatën. Këto lloj intervenimesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzheve të fitimit të përcaktuara nga Qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në pak biznese. Ato biznese që mbesin në treg mund të përballojnë marzhe të ulëta për shkak të “ekonomizimit të shkallës” – që nënkupton se rritja e qarkullimit të tyre, që rezulton nga rritja e pjesëmarrjes së tyre në treg, mundëson uljen e kostove mesatare për njësi (pasi kostot fikse mbesin të pandryshueshme).

Cili është roli ligjor dhe kushtetues i Qeverisë në situata të tilla?

Sigurisht që Kosova e ndan fatin me pjesëmarrësit e tjerë në tregjet globale, ashtu siç përfiton kur zhvillimet në këto tregje janë të favorshme. Në situata si kjo që po kalojmë, shteti e ka për obligim: (1) të mbrojë konsumatorin duke marrë vetë përsipër një pjesë të barrës, ndërkaq pjesën tjetër ta shpërndajë në shoqëri në mënyrë të balancuar; (2) të parandalojë sjelljet abuzive në treg që mund të ndodhin në situata të tilla dhe të ruajë konkurrencën; si dhe (3) të punojë ngushtë me bizneset për përballimin e situatës.

Në kontekst të këtyre tri obligimeve që ka shteti, masat duhet të jenë balancuese dhe të lidhura e të kushtëzuara nga njëra-tjetra. Masat, para së gjithash, duhet të përfshijnë kontrollin e tregut, i cili duhet të jetë ligjor dhe kushtetues për të mos cenuar liritë ekonomike dhe për të parandaluar monopolizimin e ofertës së tregut, që do të kishte pasoja edhe më të mëdha për konsumatorin e fundit sesa rritja aktuale e çmimit. Duhet gjithashtu të ndërmerren masa që ulin përgjithësisht kostot shoqërore nga rritja e çmimit të derivateve. Kostot e paevitueshme duhet të shpërndahen gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve.

Cilat janë masat konkrete që duhet të ndërmarrë Qeveria?

E para, inspektorati i tregut duhet të monitorojë tregun në baza ditore për të konstatuar sa po rritet çmimi i furnizimit dhe deri në çfarë mase kjo rritje po bartet në çmimin për konsumatorët. Duhet të përgatitet raport ditor për këtë çështje, i cili bëhet transparent për publikun. Të gjitha të dhënat për tregun e derivateve duhet të digjitalizohen, përfshirë këtu: importuesit, sasitë e importuara, burimin e furnizimit, çmimet furnizuese, shpërndarjen në tregun vendor, konsumin sipas destinimit etj. Kjo qasje mundëson monitorim institucional të tregut, rrit konkurrencën dhe eviton sjelljet abuzive pa pasur nevojë për inspektime dhe masa penalizuese.

E dyta, duhet të aktivizohet Komisioni i Konkurrencës, pasi rritja aktuale e çmimeve të derivateve është ndër rastet më të veçanta historikisht. Ky është rast tipik ku, për shkak të luhatjeve të mëdha në çmime, Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet në veprime parandaluese (ex-ante) sipas detyrës zyrtare, e jo të presë paraqitjen e pasojave dhe pastaj ndërmarrjen e veprimeve të natyrës hetuese dhe penalizuese.

E treta, duhet të ulet akciza në derivate, e cila mund të ulet deri në 36 cent për litër pa shkaktuar asnjë ndryshim në të hyrat buxhetore. Duke qenë se të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit, Qeveria ka mjaftueshëm hapësirë për të ulur akcizën proporcionalisht me rritjen e të hyrave të saj nga TVSH-ja shtesë që mbledh nga derivatet.

E katërta, duhet të subvencionohen bujqit për derivatet për bujqësi. Kjo mund të bëhet përmes subvencionimit drejtpërdrejt të bujqve për sasinë e naftës që ata blejnë në treg për nevoja bujqësore. Kjo sasi përcaktohet nga shteti sipas normativave për sasinë e derivateve të nevojshme për hektarë toke bujqësore që punohet, për të cilën aktualisht ndahen subvencione. Forma tjetër e subvencionimit përfshin lirimin nga akciza dhe TVSH-ja për naftën që bujqit e blejnë në pikat e derivateve për qëllime bujqësore, sërish duke përdorur normativat dhe të dhënat për tokën bujqësore të punueshme, për të cilën bujqit subvencionohen. Forma e parë është më e lehtë për t’u menaxhuar dhe mund të përdoret infrastruktura e Ministrisë së Bujqësisë për subvencionim dhe verifikim.

E pesta, përveç këtyre masave që duhet të jenë të menjëhershme, duhet menduar për investime në depo të derivateve në sasi të mëdha, të mjaftueshme për periudha të luhatjeve në tregje, sikurse kjo që po ndodh tani. Përvoja të investimeve të tilla ka mjaft, si përmes investimeve shtetërore, ashtu edhe publike-private ose kontraktimit të sektorit privat.

Të ngjashme

Të fundit