21.2 C
New York
Friday, November 1, 2024

Buy now

Hoti flet për raportin e Bankës Botërore | Pse s’do të përsëritet rritja dyshifrore ekonomike?

- Advertisement -

Rritja ekonomike mbi 10 për qind e ekonomisë së Kosovës në vitin 2021 po rezulton të jetë rezultat i faktorëve të jashtëm e jo i politikave qeveritare, sipas deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit. Ai në një prononcim për Gazetën Express ka treguar se pse nuk mund të ketë rritje ekonomike të ngjashme me atë të vitit 2021. Së fundmi, Banka Botërore ka publikuar një raport ku tregohet se për vitin 2023 rritja ekonomike nuk do të jetë më e lartë se 3.7 për qind. Numrat kanë qenë shkas i përplasjeve në mes qeverisë dhe opozitës. Në një anë qeveria pretendonte për performancë të jashtëzakonshme ekonomike e në anën tjetër opozita thoshte se të dhënat janë nominale dhe si të tilla po manipulohen nga ekzekutivi.

Banka Botërore (BB), më 6 prill ka publikuar raportin për Kosovën ku rritja ekonomike për vitin 2022 nënvizohet të ketë qenë 3.5 për qind, ndwrsa për këtë vit pritet një ngritje modeste e ekonomisë që mund të shkojë deri në 3.7 për qind.

Këto të dhëna për vitin 2022 dhe 2023 vijnë pasi Kosova në vitin 2021 arriti rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, këto të dhëna tregojnë se përformanca dyshifrore e ekonomisë së Kosovës për vitin 2021 ishte për shkak të normalizimit të jetës shoqërore dhe ekonomike si rezultat i kalimit të vitit ku pandemia COVID-19 ishte në qendër – dhe shumica e segmenteve të organizimit ekonomiko-shoqëror ishin të bllokuara.

Në një prononcim për Gazetën Express, Hoti ka thënë se për të pasur matje të saktë të rritjes ekonomike duhet të hiqet nga kalkulimi viti i jashtëzakonshëm ku rënia ekonomike për shkak të faktorëve të jashtëm ishte -5 për qind.

”Rritja e vitit 2021 ka qenë rritje pas pandemisë. Është e pritshme që rritja ekonomike në vitin e parë pas pandemisë të jetë e lartë, pasi krahasimi bëhet me një bazë shumë të ulët ekonomike të vitit të pandemisë kur rënia ishte -5%“, ka thënë Hoti. ”Duhet hequr efektin e pandemisë për të llogaritur rritjen e qëndrueshme dhe reale ekonomike. Kjo bëhet duke gjetur mesataren e rritjes ekonomike më afatgjatë, që përfshinë katër-pesë vite rresht, si dhe duke hequr nga llogaritjet vitin e pandemisë dhe vitin menjëherë pas pandemisë“.

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti vazhdimisht kishte shprehur krenari për rritjen ekonomike që afrohej 11-përqindshit.

Por deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti thotë se publiku nuk duhet të mashtrohet me të dhëna nominale.

”Ata që nuk e kuptojnë këtë qasje japin informata të gabuara për publikun dhe e mashtrojnë vetën dhe publikun“, ka thënë deputeti opozitar.

Për ish-ministrin e Financave, raporti i Bankës Botërore nuk mund të jetë ndryshe duke argumentuar se rritja ekonomike nuk është e lartë për shkak të faktorëve të jashtëm – inflacioni dhe kriza energjetike, por shton se ka edhe mungesa të politikave nxitëse – për të cilat ka kompetencë ekzekutivi.

”E para është kriza ekonomike nga inflacioni dhe kriza energjetike, që i importuam nga jashtë por që u thelluan në tregun e brendshëm për shkak të mungesës së masave adekuate për të parandaluar rënien e kërkesës agregate në nivel vendi.  E dyta është mungesa e politikave nxitëse për rritje të ofertës në përgjithësi dhe investimeve te jashtme në veçanti“, ka deklaruar Hoti.

Çfarë thotë raporti i Bankës Botërore për Kosovën?

Raporti dy-faqesh i Bankës Botërore për Kosovën fillon me qartësimin se rol në ekonominë kombëtare ka lufta e Rusisë në Ukrainë si dhe kriza globale energjetike.

Por këta faktorë përkundër se janë shumë determinues në rrjedhën ekonomike nuk janë të vetmit që përcaktojnë përformancën ekonomike – në rastin e Kosovës përmenden konsumi privat dhe eksportet.

“Konsumi privat mbështetet shumë në remitencat edhe për gjatë vitit 2022”, thotë raporti, duke nënkuptuar se të hollat e dërguara nga diaspora në Kosovë të cilat janë rritur për 6 për qind në vitin 2022, kanë pasur rol në rritjen ekonomike për 3.5 për qind.

Tregohet se Kosova ka rritje të eksporteve dhe kjo bazuar në nxjerrjet e raportit do të ndikojë në rritje ekonomike si dhe ulje të varfërisë. Megjithatë edhe importet kanë marrin hovin.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin për Tregtinë e Jashtme, të publikuar më 25 janar të këtij viti,  eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2022 kishte vlerën 72.0 milionë euro, ndërsa importi 521.5 milionë euro, që është një rritje prej 10.8 për qind për eksport dhe 13.4 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Rreth kësaj, BB nënvizon se deficiti tregtar vazhdon të jetë i lartë.

Pos rritjes eksport-import, Banka Botërore vë në pah rritjen e punësimit – nuk lihet në harresë fakti se ka formalizimeve të vendeve të punës.

Në raport pasqyrohen mangësitë që ka tregu i punës në Kosovë, sidomos në sferën e barazisë gjinore.

Tregu e shteti vazhdojnë të përballen me forcën joaktive, 60 për qind e popullsisë në Kosovë në moshe pune janë forcë joaktive ( s’kanë punë e as nuk kërkojnë punë).

Më tutje, problem vazhdon të mbetet  kriza energjetike ku BB raporton se Qeveria ka rritur subvencionimet në këtë sferë.

Por këto subvencionime mund të rrisin deficitin fiskal në periudhën afatmesme, BB parashikon një rritje për 1.1 për qind.

Potencohet se gjendja në arsim vazhdon të mbetet në nivelin jo të duhur dhe se borxhi publik do të vazhdojë të jetë nën 25 për qind të GDP-së, të cilën Kosova e ka 10.3 miliardë.

Inflacioni sfidë

Rritja e çmimeve sidomos për produktet esenciale ka qenë temë diskutimi në Kosovë – opozita ka drejtuar gishtin kah qeveria inflacioni po i dërmon qytetarët.

Norma mesatare e inflacionit vjetor është 11.6 për qind, duke prekur më së shumti transportin 16.9 për qind dhe ushqimin 16.3 për qind. Ndërkaq energjia 12.7 për qind.

Megjithatë, inflacioni do të zbresë këtë vit në bazë të dinamikës së tregjeve ndërkombëtare. Siç tregon raporti ulja e çmimeve s’mund të vërehet dukshëm, megjithatë lëvizje do të ketë.

Përkundër kësaj, rritja e importeve në Kosovë do ta sfidojë ekonominë me rritje çmimesh sa herë që tregjet dalin nga binarët.

Qeveria e Kosovës krenohet me rezultatet

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka thënë më 6 prill në Kuvendin e Kosovës se Kosova menjëherë pas Shqipërisë e ka inflacionin më të ulët në rajon.

“Përjashto Shqipërinë që për shkak të valutës së saj e ka inflacionin më të ulët. Kosova e ka inflacionin 10.5 për qind, pra është më i ulët sesa në vendet e tjera të rajonit”, kishte thënë Murati.

Ndërkaq, ”krenaria pushtetatare“ lidhet edhe me publikimin e të dhënave për rritjen ekonomike dy-shifrore në vitin 2021, rritjen e qarkullimit të bizneseve, rritjen e eksporteve si dhe të konsumit.

”Kur njerëzit kanë shpresë shpenzojnë më shumë“, është fraza ekonomiko-psikologjike të cilën e përdor kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa herë pyetet për inflacionin të cilën e zhbërthen më pas duke e përdorur rritjen e konsumit.

Të enjten në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka pyetur Qeverinë se ”kujt i është rritur fuqia blerëse“.

”Kujt në këtë vend i është rritur fuqia blerëse, kështu matet suksesi ekonomik“, kishte thënë Haradinaj.

Përballja argumentesh në mes Qeverisë dhe opozitës shtrihet në numrat të cilat publikohen rreth ekonomisë. Qeveria i përdror si suksese të saj, ndërkaq opozita pretendon se janë të dhëna nominale të ndikuara nga COVID-19 dhe inflacioni më pas i rrjedhur prej ngjarjes së luftës në Evropë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit