Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se rezultati i 28 dhjetorit, ishte befasues për të gjithë dhe se nuk është pritur nga askush e aq më pak nga kjo parti.
Ndër arsyet pse LDK pësoi debakël në zgjedhjet e fundit duke rënë në 13%, Hoti përmendi disa herë mos veprimet pas zgjedhjeve të shkurtit për riorganizim, duke shtuar se kjo nuk nënkupton domosdo ndërrim lidershipi.
Fajtor për këtë rezultat, Hoti tha se janë Kryesia e LDK-së në krye me Lumir Abdixhikun si Kryetar.
“Fajtor është komplet lidershipi i partisë. Me lidership po nënkuptoj kryesinë qendrore në krye me kryetarin e partisë dhe mandej kjo përgjegjësi merret përsipër nga kryetari i partisë. Përgjegjësia është e të gjithëve, sepse të gjithë kemi dështu në këtë process. Por, në politikë kjo përgjegjësi mbledhet te kryetari i partisë”, deklaroi Hoti.
Ai tha se pas 9 shkurtit, LDK do të duhej të merrej me veten, ndonëse shtoi se kanë bërë maksimumin për zgjedhjet e fundit.
Sipas tij, edhe pse kanë rënë në 13%, mbeten parti serioze.
“Pas 9 shkurtit, do të duhej të merreshim me veten, jo detyrimisht ndryshimi i lidershipit…Nuk ka pas vullnet nga shumica e kolegëve në LDK që të ndërmerret ndonjë veprim dhe e kemi mbyllur atë kapitull. Kemi bërë maksimumin për zgjedhjet e 28 dhjetorit”, deklaroi Hoti në T7.
Hoti tha se kjo parti do të ndërrojë kryetarët, sa herë që performon dobët në zgjedhje.
Megjithatë, Abdixhikune e cilësoi si asset për partinë.
“Do të vazhdojmë të ndërrojmë kryetarët e LDK’së saherë që kemi rezultate të dobëta. Ai që është në krye, ai e merr përgjegjësinë. Lumir Abdixhiku është asset për LDK’në… Ne nuk i nxjerrim në rrugë kryetarët e LDK’së…Duhet të jetë padyshim pjesë e ekipit të lidershipit të partisë”, shtoi Hoti.
Ndryshe, Kuvendi i LDK’së mblidhet të shtunën. Abdixhiku do ta paraqes dorëheqjen e tij.
Kandidaturën për të udhëhequr me LDK’në e ka shpallur Hoti.






