Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar lart Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën e nënshkroi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq katër vjet më parë në Shtëpinë e Bardhë. Madje, sipas tij, ajo mbetet më e mira që nga shpallja së Pavarësisë së Kosovës.
Ai theksoi se Marrëveshja e Uashingtonit i shërben interesave të shtetit, duke theksuar veçanërisht rolin e saj në forcimin e pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Një arritje kryesore që ai vuri në dukje ishte njohja e Kosovës nga Izraeli më 4 shtator 2020, e cila ai beson se shkon përtej thjesht shtimit të një emri tjetër në listën e njohjeve.
“Njohja nga Izraeli nuk është vetëm një plus një njohje në listën e njohjeve që e kemi pasur. Në veçanti është mesazhi që i është dhënë shteteve të tjera jonjohëse të cilat ende kanë dilema”.
“Mesazhi që i është dhënë nga Shtëpia e Bardhë që Kosova është këtu përgjithmonë dhe duhet ta njihni, ky është mesazhi që është dhënë përmes njohjes nga Izraeli”, tha Hoti në Rubikon në Klan Kosova.