14 C
New York
Saturday, November 1, 2025

Buy now

Hoti akuzon Qeverinë në detyrë për shkelje ligjore me Projektligjin e Buxhetit 2026

- Advertisement -

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është dorëzuar në Kuvend Projektligji për Buxhetin e vitit 2026.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka deklaruar se Qeveria në detyrë ka tejkaluar autorizimet ligjore duke dërguar buxhetin në Kuvend në mënyrë të kundërligjshme, shkruan IndeksOnline

Sipas tij, Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e këtyre shkeljeve duke shpërndarë dokumentin tek deputetët, ndërsa ka shtuar se në raste të mëparshme, qeveritë në detyrë e kanë përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga një qeveri e zgjedhur nga Kuvendi.

Postimi i plotë:

Dje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar në adresat zyrtare Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend. Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët.

Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi.

Shkelja tjetër ligjore është se Projektligji i prezantuar në mbledhje të Qeverisë është bërë nga një deputet dhe u dorëzua në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit.

Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale, të bazuara në ligje, të organeve të sundimit të ligjit për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike.

Sigurisht se nuk pres reagimin e të parës së shtetit për të ndaluar funksionimin qartësisht jo kushtetues të Qeverisë në detyrë. Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve. As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin fatkeqësisht po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës. Këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave. Nuk dinë dhe nuk mund të mbijetojnë politikisht në situata të normalitetit politik, pasi situatat normale politike nuk i pranojnë mashtruesit.

 

Të ngjashme

Të fundit