Më 25 mars 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, dhuna e regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë u intensifikua në mënyrë të paparë. Po në këtë datë, në disa fshatra të komunës së Rahovecit, në Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje, u kryen masakra të organizuara, ku u vranë rreth 200 civilë të pafajshëm, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar.
Sot, në përkujtim të 25-vjetorit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me bashkëpunëtorë institucionalë, mori pjesë në homazhet e mbajtura në Tërrnje, ku u vendosën lule te memoriali i martirëve të masakrës.
Haxhiu vizitoi gjithashtu shtëpinë e Bekim Gashit të mbijetuarit të vetëm të masakrës i cili humbi nënën dhe katër motrat e tij, trupat e të cilave vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ai rrëfeu përpjekjet shumëvjeçare për drejtësi, duke marrë pjesë në procese gjyqësore në Beograd dhe në zhvarrime, të cilat deri tani nuk kanë dhënë rezultat.
“Dhimbja e Bekimit është dhimbja e gjithë popullit tonë. Ne ndajmë pikëllimin me familjet që kanë humbur më të dashurit dhe me ato që ende nuk i kanë gjetur trupat e të afërmve të zhdukur me dhunë. Ne kurrë nuk do të harrojmë dhe kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta,” tha ministrja Haxhiu.
Ajo shtoi se drejtësia për viktimat e masakrave të marsit 1999 mbetet detyrim shtetëror dhe moral që nuk do të shuhet







