Ministria e Sportit njofton se nesër do të mbahen homazhet dhe mbledhja përkujtimore për ta nderuar figurën e ish-boksierit kosovar, Xhevdet Peci, i cili ndërroi jetë të hënën.
Siç njofton MKRS-ja, homazhet do të mbahen nesër në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, prej orës 9:00 deri në 12:00.
Ndërsa, varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 16:30, në fshatin Zhazhë në Komunën e Mitrovicës,
Gjithashtu, nesër, nga ora 19:30, do të mbahet mbledhje përkujtimore për ta kujtuar legjendën e boksit në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.
Xhevdet Peci ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 67 vjeçare.
Ai njihej si “Grushti i hekurt”, ndërsa konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë.
Ka qenë kampion i ish-Jugosllavisë dhe kampion ballkanik, duke e çuar shumë lart klubin e boksit Prishtina në vitet e 70-ta dhe të 80-ta.
Sportistët dhe Federatat sportive i shprehën ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa atë e kujtoi edhe kryeministri Albin Kurti.
Xhevdet Peci është një legjendë dhe emri i tij nuk do të vdesë kurrë.