Learta Hollaj nga presidenca, i thotë shefes së GP-së së VV-së, Arbërie Nagavci, që “nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp?“.
Ajo thotë se Osmanit nuk i ka ofruar VV asnjë votë për t’u rizgjedhur “por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla”, thotë Hollaj.
“Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”, është shprehur ajo.
Reagimi i saj i plotë:
Zonja Arbërie Nagavci,
Besohet se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror. Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues.
Prandaj, qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta.
Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla.
Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!






