Home Lajme Botë Holanda do t’i dhurojë Ukrainës 18 aeroplanë luftarakë F-16

Holanda do t’i dhurojë Ukrainës 18 aeroplanë luftarakë F-16

0
Holanda do t’i dhurojë Ukrainës 18 aeroplanë luftarakë F-16

Holanda do t’i japë Ukrainës 18 aeroplanë luftarakë të tipit F16 për ta ndihmuar luftën e këtij vendi kundër pushtimit rus, tha të premten qeveria holandeze.

“Sot e informova Presidentin Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur fillimisht 18 aeroplanë luftarakë F-16 për dërgim në Ukrainë”- shkroi në rrjetin X kryeministri në detyrë i Holandës, Mark Rutte.

“Dhurimi i F-16-shave është njëri nga elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të bëra për mbështetje ushtarake për Ukrainën”- shtoi ai.

Dërgimi i aeroplanëve luftarakë është ende pezull deri në lëshimin e lejes së eksportit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe përmbushjen e kritereve për stafin dhe infrastrukturën për ta në Ukrainë, njoftoi Rutte, pa dhënë afat për këto vendime, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, njoftimi i ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe përgatitjen e aeroplanëve për dërgesë, tha qeveria holandeze.

“Fola me Mark Rutte-n për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për ta filluar përgatitjen e 18 aeroplanëve fillestarë F-16 për dërgesë në Ukrainë”- shkroi në rrjetin X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përpos Holandës, edhe Norvegjia e Belgjika kanë njoftuar se do t’i dhurojnë aeroplanë të këtij lloji Ukrainës, pasi Shtetet e Bashkuara e kishte miratuar dërgimin e tyre për ta mbrojtur Ukrainën kundër rusëve porsa të përfundojë trajnimi i pilotëve ukrainas.

Exit mobile version