Avokati, Taulant Hodaj, ka mohuar se Komiteti Ekzekutiv ka bërë shkelje të statutit për shpalljen e zgjedhjeve për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në FFK kështu ka deklaruar sonte në emisionin “Pressing” në T7.
“Kuvendi i rregullt është thirrur në bazë të statutit. S’ka shkelje të statutit. Gjithsecili ka të drejtë të kandidojë 20 ditë para Kuvendit”, ka deklaruar Hodaj.
Kujtojmë se dy kandidatët e mundshëm për të parin e FFK-së, Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti, deklaruan për Gazetën Express ditë më parë se FFK ka bërë shkelje të statutit me thirrje të Kuvendit.
Sipas tyre, për një Kuvend të tillë duhet të njoftohet së paku dy muaj më herët.
KE i FFK-së ka caktuar 6 prillin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për pozitën e Kryetarit të FFK-së.
Kryetar aktual është Agim Ademi, i cili është duke synuar edhe një mandat katërvjeçar.