Avokati, Taluant Hodaj, e ka vlerësuar si interesante kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila ka propozuar që Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.
Ai ka thënë se kërkesa të tilla nuk praktikohen shpesh, ku dyshohet se të akuzuarit tentojnë të ndikojnë tek dëshmitarët përmes vizitorëve.
Hodaj në emisionin “Ditari” në Tëvë 1, ka thënë se kjo kërkesë është bërë në bazë të disa incizimeve dhe dëshmive që gjykata pretendon që i ka, duke shtuar se kjo është rënduese për të akuzuarit.
“Nuk është që praktikohet shpesh në qendrat e paraburgimit d.m.th me dyshime se ata që janë në paraburgim po tentojnë me ndikuar në dëshmitarë dhe manipulim me prova. Ishte një kërkesë që bazohej me disa incizime dhe dëshmi që ata i kishin bërë. Është rënduese për të akuzuarit, sepse pretendohet se ka disa evidenca se është tentu të ndikohet në dëshmitarë”, ka thënë Hodaj.
Javë më parë me urdhër të Gjykatës Speciale, janë kryer disa bastisje në shtëpitë e disa bashkëpunëtorëve të ish- presidentit Hashim Thaçi dhe disa ish- luftëtarëve të UÇK-së, e sipas Hodaj, kërkesa e ZPS-së mund të jetë e lidhur më këto bastisje, pasi disa nga ta kanë qenë edhe vizitor në Hagë.
Ai thotë se dokumenti i publikuar të enjten si kërkesë do të bëhet vendim së shpejti.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar të enjten që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.
Sipas ZPS-së, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.
Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.
Gjithashtu, ZPS-ja ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e atyre të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.