Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka nisur raportimin në Komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës për raportin vjetor të punës për vitin 2023.
Mirëpo në mungesë kuorumi pasi që në sallë janë veç 6 anëtarë të komisionit, sipas kryetarit të komisionit, Bekë Berisha, Hodaj vetëm do të dëgjohet, derisa në mungesë kuorumi tani për tani nuk mund të vazhdohet me pyetje nga deputetët e pranishëm, raporton RTKlive.
Kreu i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se IPK-ja ka pasur arritje, falë edhe mbështetjes nga akterët e jashtëm. Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit është prioritet i IPK-së.
Hodaj foli edhe për ankesat që qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë bërë në IPK. “Kemi pranuar dhe administruar 1697 ankesa nga qytetarët gjatë vitit 2023, 32 % e këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal të cilat janë trajtuar nga IPK-ja pjesa tjetër prej 68% janë orientuar për hetim disiplinor”, tha ai.