Emri i tij është Nicollas Guillou.
Para saktësisht 5 vitesh, ky gjyqtar francez do t’ua konfirmonte aktakuzën katër prej udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Si gjyqtar i procedurës parprake, figura e tij do të bëhej e njohur për opinionin në Kosovë, pasi për mbi 2 vjet, ishte në secilën seancë.
Madje, edhe tallej kur avokatët e Hashim Thaçit kritikonin Specialen për mungesën e flamurit të Kosovës.
“Mund të kishit veshur rroba të kuqe”, pati deklaruar ai duke qeshur.
Po në kohën e tij, aktakuza në rastin e Thaçit dhe të tjerëve do të plotësohej e ndryshohej disa herë, bazuar në kërkesat e Prokurorisë së Hagës.
E disa kohë pasi rasti kaloi te trupi gjykues, e ardhmja e këtij gjyqtari doli të jetë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Aso kohe, avokatët e Hashim Thaçit kishin alarmuar se ky gjyqtar po i mban dy vendet e punës. Dhe për këtë, kishte raportuar Nacionale.
Gjykata Speciale me seli në Hagë, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për ta përjashtuar gjyqtarin Nicolas Guillou. Kjo pasi i njëjti ishte përzgjedhur gjyqtar edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Pra, gjyqtari me dy vende të punës, e vazhdoi angazhimin edhe në Speciale edhe në Gjykatën Penale.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vendimin e saj ka bërë të ditur se kërkesa e Thaçit është e paqëndrueshme. Sipas saj, angazhimi i përkohshëm i gjyqtarit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, nuk ndikon në paanshmërinë e gjyqtarit.
Gjyqtari francez që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, është aktiv në të gjitha proceset e hapura si gjyqtar i procedurës paraprake. Në muajin dhjetor të vitit 2023, Gjykata Speciale njoftoi se Guillou është përzgjedhur si gjyqtar edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Që nga atëherë, Guillou, vazhdoi duke mbajtur të dy pozitat. Edhe në Gjykatën Speciale edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Pavarësisht kërkesës nga mbrojtja e Hashim Thaçit për përjashtimin e tij, gjyqtari francez vazhdon punën në të dyja institucionet.
Por, një kërkesë e re për përjashtimin e tij erdhi pak ditë më parë. Mbrojtja e Thaçit insistoi se Guillou duhet të largohet, duke njoftuar se ai është caktuar në mesin e gjyqtarëve që do të vendosë lidhur me urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes në Izrael, dhe liderëve të Hamasit.
Kjo konfirmohet edhe nga publikimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ku francezi është pjesë e panelit. Përveç tij, në panel janë edhe Iulia Motoc dhe Reine Alapini-Gansou.
Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan ka kërkuar urdhër arrest për liderin e Hamasit dhe për kryeministrin izraelit Benjanim Netanjahu.
Siç raporton The Guardian, Gjykata kërkon urdhrin e arrestit ndaj Netanjahut dhe liderit të Hamasit Jahja Sinvar, nën akuzat për ‘krime lufte dhe krime kundër njerëzimit’.
Sipas Khan, Gjykata kërkon urdhër arrest edhe për ministrin izraelit të mbrojtjes, Yoav Gallant dhe për dy ish zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit.
Për këtë, pritej të merrte vendim gjyqtari i Speciales.
Në një parashtresë të mbrojtjes së Hashim Thaçit të cilën e kishte parë Nacionale, avokatët kërkonin që gjyqtari të përjashtohet nga rasti i krerëv të UÇK-së, ku e kishte udhëhequr rastin në procedurën paraprake.
“Është e domosdoshme që çdo sistem gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur të jetë i pagabueshëm për çdo çështje të këtij lloji. Pavarësia e gjyqtarëve të KSK-së duhet të jetë përtej qortimit. Rolet e njëkohshme të gjyqtarit Guillou si gjyqtar i GJNP-së dhe gjyqtar i KSC-së, i ka hapur derën këtyre lloj shqetësimeve mbi pavarësinë dhe integritetin e procedurës aktuale. Mbi këtë bazë, Mbrojtja kërkon përjashtimin e gjyqtarit Guillou”, thuhet në këtë parashtresë, raporton Nacionale.
Kërkesa e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq, është dërguar më 14 mars. Aty specifikohet se gjyqtari Gillou pavarësisht betimit si gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, po e vazhdon shërbimin edhe në Dhomat e Specializuara të Hagës. Sipas mbrojtjes, me këtë fakt, cenohet gjyqësori i pavarur.
“Është e qartë se drejtësia dhe shteti i së drejtës fillojnë me një gjyqësor të pavarur. Parimi i pavarësisë së gjyqësorit, i kodifikuar në konventat e të drejtave të njeriut, konsiderohet nga Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut si “një e drejtë absolute që mund të vuajë. Nuk ka përjashtime.”7 Për këtë arsye, në DHK, gjyqtarëve të specializuar kërkohet që, në ushtrimin e funksioneve të tyre gjyqësore, të jenë të pavarur nga çdo autoritet dhe ndikim”, thuhet në fillim të kërkesës.
Sa i përket ankesës së ekipit të Thaçit, Specialja ka bërë të ditur se rasti po trajtohet.
“Sa i përket parashtresës së Mbrojtjes së Thaçit, deri më tani nuk është publikuar asnjë vendim për këtë çështje. Meqenëse kjo çështje është para gjykatës, ne nuk mund të komentojmë për këtë çështje apo pyetjet tuaja të tjera”, thuhet në përgjigje.
Gillou kishte qenë, dhe është, gjyqtar i procedurës paraprake në të gjitha rastet që janë trajtuar e po trajtohen deri më tash në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar dy gjyqtarë dhe dy prokurorë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, në mesin e të cilëve ish-gjykatësin e Procedurës Paraprake në Gjykatën Speciale në Hagë, Nicolas Guillou.
Përveç Guillout, të sanksionuar janë Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang.
Guillou është vënë nën sanksionet për lëshimin e urdhërarrestit ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të mbrojtjes, Yoav Gallant. Kurse, Prost për shkak të lëshimit të autorizimit të GJNP-së për hetim të personelit amerikan në Afganistan.
Prokurorët Shameem Khan dhe Niang janë sanksionuar me arsyetimin se kanë mbështetur veprimet kundër Izraelit dhe urdhërarrestet ndaj Netanyahut e Gallantit.
Në vendimin e Departamentit të Shtetit thuhet se të gjitha asetet në pronësi të këtyre personave në SHBA “janë bllokuar dhe duhet të raportohen në Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja të Departamentit të Thesarit”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar GJNP-në si “kërcënim për sigurinë kombëtare”, tek ka shtuar se “ajo është përdorur si instrument për luftë ligjore” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta dhe të palëkundura në kundërshtimin tonë ndaj politikës së GJNP-së, abuzimit të fuqisë, shpërfilljes së sovranitetit tonë kombëtar dhe tejkalimit të kompetencave ligjore”, ka thënë Rubio.
Rundi i dytë i sanksioneve është ekzekutuar më pak se tre muaj pas vendimit paraprak të administratës amerikane për të vendosur sanksione ndaj katër gjyqtarëve të ndryshëm të GJNP-së.