“Historia do të gjykojë”, mesazhet kryesore të Tërnavës për shoqërinë dhe politikën

- Advertisement -

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu Naim Tërnava theksoi rëndësinë e paqes, solidaritetit dhe bashkimit në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të shumta morale dhe sociale. Ai nënvizoi se respekti ndaj pluralizmit dhe pranimi i dallimeve ndërmjet individëve dhe komuniteteve është thelbësor për një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme, pa dominim ekonomik, kulturor apo ushtarak.

“Sot është dita e Fitër Bajramit, dita e gëzimit, falënderimit dhe shpërblimit për ata që përjetuan ramazanin me besim dhe përkushtim. Për shpirtat që mëshira e Allahur shfaqet dhe zemrat e mbushura me dritë dhe qetësi. Ramazani nuk ishte një muaj që kaloj, por një shkollë që na mësojë durimi, përmbajtjen dhe afrimin dhe adhurimin ndaj Zotit”, tha ai.

Sipas tij, bashkësia njerëzore nuk është vetëm një nevojë sociale, por edhe një parim i thellë fetar dhe kombëtar, i ndërtuar mbi historinë dhe dinjitetin e popullit. Në një realitet ku shpesh mbizotërojnë egoizmi, urrejtja dhe konfliktet, ai theksoi se mesazhi i vërtetë i feve është paqja, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet njerëzve. Megjithatë, ai paralajmëroi se besimi, kur keqpërdoret nga të padijshmit, mund të shndërrohet në mjet përçarjeje.

“Në kohën e sotme për t’u përballur me krizën morale dhe sociale kërkohet domosdoshmërish respekti ndaj pluralizmit dhe pranimi i dallimit në mes individëve, komuniteteve pa asnjë formë dominimi  ekonomik, kulturor apo ushtarak. Bashkësia njerëzore nuk është vetëm një nevojë sociale por një parim fetar dhe kombëtar i rrënjosur mbi historinë dhe dinjitetin e popullit tonë. Në realitetin e sotëm ku egoizmi, urrejtja dhe konflikti shpesh cenojnë marrëdhëniet ndër njerëzore, kuptimi i vërtet i dashurisë së paqes duket si përjashtim nga feja. Fetë megjithatë japin mesazh paqeje, duke ofruar udhëzime për respekt të ndërsjellët, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndër njerëzor. Besimi në fetë nga njerëzit e padijshëm shpesh abuzoheni për përçarje. Sipas islamit nuk mund të imagjinohet që njerëzit të bashkohen në një fe apo kulturë të vetme, ngase krijimi i dallimeve në mes njerëzve tregon madhështinë dhe vullnetin e Zotit “, tha ai.

Duke iu referuar mësimeve islame, Myftiu Tërnava theksoi se dallimet ndërmjet njerëzve janë pjesë e vullnetit hyjnor dhe dëshmi e madhështisë së Zotit, duke bërë të qartë se bashkimi në një fe apo kulturë të vetme nuk është as i mundur dhe as i nevojshëm.

Në vijim, ai foli për sfidat konkrete të shoqërisë sonë, ku tensionet dhe përçarjet shpesh pengojnë zgjidhjen e problemeve politike dhe sociale. Ai vlerësoi dialogun si mjetin më të fuqishëm për tejkalimin e krizave, duke theksuar se urtësia është më e fortë se zemërimi dhe përgjegjësia më e rëndësishme se interesi personal. Sipas tij, kultivimi i këtyre vlerave do të ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve që rëndojnë jetën e qytetarëve.

Myftiu gjithashtu bëri thirrje që të mos humbet shpresa, duke e cilësuar atë si forcën që mban gjallë një popull edhe në kohët më të vështira.

“S’ka dyshim që edhe shoqëria jonë po përballet me sfida të shumta. Shpesh shohim tensione, përçarje, vështirësi në zgjidhjen e problemeve politike apo sociale, të cilat direkt prekin jetën e qytetarit. Duhet ditur se dialogu është më i fort se përçarja, se urtësia është me e fort se zemërimi, se përgjegjësia është më e fort se interesi personal. Nëse këto vlera i kultivojmë në jetën shoqërore, shumë probleme do të zgjidheshin vet. Megjithatë mos të humbasim shpresën ngase shpresa është forca një gjë që e mban popullin gjatë”, tha ai.

Në fund të fjalimit të tij, ai iu drejtua klasës politike, duke e konsideruar të papranueshme që vendi të ngecë për shkak të mungesës së vullnetit për dialog, kompromis dhe përgjegjësi. Ai kërkoi maturi, vetëdije të lartë shtetërore dhe sakrificë për të vendosur interesin e vendit mbi çdo interes tjetër.

“Është e pa pranueshme që sot në kohë paqeje dhe në kushte të një sistemi demokratik, vendi ynë të ngecë për shkak të vullnetit politikë për kompromis, dialog, përgjegjësi dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë sonë të mbetet peng i krizave politike. Në moment të tilla kërkohet maturi e vetëdije e lartë shtetërore , kërkohet kulturë dialogu e mbi të gjitha kërkohet sakrificë për të vendosur interesat e vendit dhe kombit mbi çdo interes tjetër. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë urtësi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik. Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë por edhe momentet kur përgjegjësia shmanget. Lusim Zotin që të na bekojë me urtësi e drejtësi, që të jemi në nivel të përgjegjësisë që mbajmë për vendin dhe kombin, qoftë si individ apo si shoqëri. Zoti i madhërishëm të na bëj prej atyre që ndërtojmë familje të forta, rini të ndershme dhe një shoqëri me besim, moral dhe dashuri për atdheun”, tha ai.

Në përmbyllje, Myftiu Tërnava u lut për më shumë drejtësi, urtësi dhe përkushtim, duke shprehur dëshirën që shoqëria jonë të ndërtojë familje të forta, rini të ndershme dhe një të ardhme të bazuar në besim, moral dhe dashuri për atdheun.

Të ngjashme

Të fundit