12 C
New York
Tuesday, November 25, 2025

Buy now

Histori jetëshkrimi nga Clintoni: Një i ri si Hashim Thaçi donte pavarësi

nga Col Mehmeti

I shitur me mbi 2.3 milionë ekzamplarë, jetëshkrimi i ish-presidentit demokrat amerikan, Bill Clinton, mund t’i brendashkruhet edhe historisë më të re të popullit shqiptar në Kosovë. Në vorbullën e ngjarjeve të paharruara në fundvitet ‘90, presidenti i 42-të amerikan do të njihej me një të ri të pazakonshëm nga Kosova. “Një burrë riosh me emrin Hashim Thaçi…donte pavarësi dhe besonte se mund të shtyhej dhëmbë-më-dhëmbë me ushtrinë serbe”, shkroi Clintoni në librin e tij që evokon jetën e tij të shtrirë brenda dy manatesh presidenciale në krye të Shteteve të Bashkuara.

25 nëntor 2025 – Një burrë riosh me emrin Hashim Thaçi në krye të UÇK-së donte pavarësi e besonte se mund të hahej dhëmbë-më-dhëmbë me ushtrinë serbe.

Asohere, Shtetet e Bashkuara dhe NATO donin për Kosovën autonominë që ajo e gëzoi me kushtetutën jugosllave nga vitet 1974 dhe 1989.

Nëse ideja autonomiste mund të shtyhej përpara, i vetmi që jepnte shenja disi pranuese ishte Ibrahim Rugova dhe përfaqësues të qeverisë nën hije.

Këto janë vetëm disa thërrmiqe kujtesore të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, pesë vite pasi ndodhive të mëdha historike që i formësuan njëherë e përgjithmonë realitetet në Ballkan.

E botuar më 22 qershor të vitit 2004, autobiografia e presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara “Jeta ime” përmban plot çaste e anëpamje për Kosovën.

“Po shtohej dëshira e shqiptarëve për pavarësi”

I shitur në 2.3 milionë kopje, jetëshkrimi i Clintonit e hedh dritën e projektorit mbi Kosovën në kapitullin pesëdhjetë e dy.

Ai e nis rrëfimin e tij mbi Kosovën praktikisht të panjohur për publikun amerikan, duke u prapakthyer në vitin 1998 kur ushtria serbe kishte sipërmarrë një fushatë të egër mizorish ndaj shqiptarëve.

Serbët një vit më herët kishin nisur një mësymje kundër shqiptarëve kryengritës të Kosovës, duke vrarë shumë njerëz të pafajshëm e djegur gra e fëmijë në shtëpitë e tyre. Rrethi i dytë i agresionit serb kishte yshtur një shpërngulje refugjatësh dhe kishte shtuar dëshirën e shqiptarëve kosovarë për pavarësi”, shkruan Clintoni në faqet që i letërnxiu për Kosovën.

“Nuk do të lejoja një Bosnjë tjetër”

Në këtë pikë, ish-presidenti amerikan e gjente me vend t’ju ofronte lexuesve të tij një sfond ngjarjesh për të rrokur më mirë të vërtetën për Kosovën.

Sipas tij, më 1974, Tito i dha Kosovës autonomi, duke mundësuar vetëqeverisje e kontroll mbi shkolla. Por, më 1989, Millosheviqi e zhveshi atë nga autonomia.

Ç’prej atëherë tensionet janë shtuar, dhe kanë shpërthyer kur u sigurua pavarësia e Bosnjës më 1995. Isha i vendosur të mos lejoja që Kosova të bëhej një tjetër Bosnjë. Kështu ishte edhe Madeleine Albrighti”, shkruan Clintoni.

Në prill të 1998-s, sipas tij, Kombet e Bashkuara kishin vendosur embargo armësh, kurse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kishin vendosur sanksione ekonomike mbi Serbinë për shkak të dështimit të saj për t’iu dhënë fund armiqësive e për të filluar bisedimet me shqiptarët.

Kah mesi i qershorit, NATO zuri të shestonte plane për një varg opsionesh ushtarake për t’i dhënë fund dhunës”.

Por, kah mesi i korrikut, forcat serbe sërish sulmuan kosovarë të armatosur e të paarmatosur, duke filluar një verë agresioni që do t’i shtrëngonte 300 mijë shqiptarë të tjerë Kosovë të linin shtëpitë e tyre.

Më 13 tetor, NATO kërcënoi me sulm Serbinë brenda katër ditësh nëse nuk përfilleshin rezolutat e OKB-së. Goditjet ajrore u shtynë kur katër mijë oficerë të policisë speciale jugosllave u tërhoqën nga Kosova. Gjërat u vunë në vijë për pak, por në janar 1999 serbët po vrisnin sërish të pajfashëm në Kosovë, dhe goditjet ajrore të NATO-s dukeshin të pashmangshme. Vendosëm të provonim edhe njëherë me diplomaci, por unë nuk kisha uzdajë. Objektivat e palëve ishin larg e larg”, shkruan Clintoni.

Rugova e Thaçi, dy skaje të një pale

Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja donin që Kosova të kishte autonominë politike që e kishte pasur në kohën e kushtetutës jugosllave mes viteve 1974 e 1989.

Ne donim një forcë paqëruajtëse të kryesuar nga NATO të ishte dorëzane për paqen dhe sigurinë e civilëve në Kosovë, përfshirë edhe pakicën serbe. Millosheviqi donte të ruante kontrollin e Kosovës, dhe kundërshonte çfarëdo vendosje të trupave të huaja atje. Shqiptarët kosovarë donin mëvetësi”, vijon më tej Clintoni.

Ata ishin të ndarë edhe mes vete. Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë në hije, ishte një burrë që fliste urtë e butë me një prirje për të mbajtur një shallë rreth qafe. Isha i bindur se mund të bëja një ujdi paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për faksionin tjetër të mdh kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të udhëhequr prej një burri riosh me emrin Hashim Thaçi. UÇK-ja donte pavarësi dhe besonte se mund të shtyhej dhëmbë-më-dhëmbë me ushtrinë serbe”.

Në paragrafët në vazhdim, Clintoni ndërmend sesi palët u mblodhën në Rambuje, më 6 shkurt, për të pleqëruar hollësitë e një marrëveshje.

Por, Albrighti dhe homologu i saj britanik, Robin Cook, e panë që pozicioni fillestar amerikan nuk po tumirej nga asnjëra palë.

Serbët nuk donin të pajtoheshin për një forcë paqëruajtëse të NATO-s, kurse kosovarët nuk donin të pajtoheshin me pranimin e autonomisë përveç nëse iu garantohej një referendum për pavarësi. Edhe UÇK-ja nuk ishte e kënaqur nga çarmatosja, pjesërisht për shkak se ata nuk ishin të sigurt se mund të llogarisnin në forcat e NATO-s për t’u mbrojtur. Ekipi ynë vendosi që të shkruante marrëveshjen në atë mënyrë që do ta vononte referendumin, por nuk do ta mohonte atë përgjithmonë”.

“Parandaluam spastrimin etnik”

Më 23 shkurt, shqiptarët kosovarë, përfshirë edhe Thaçin, pranuan në parim marrëveshjen. Meqë Millosheviqi përsëri ngulmoi se nuk do të lejonte trupa të huaja në tokën jugosllave, Clintoni e dërgoi për herë të fundit Dick Holbrookein, por pa ia dalë mbanë ta zhbindte.

Më 23 mars, pasi Holbrooke u largua nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana, me mbështetjen time të plotë, e drejtoi gjeneralin Wes Clark të fillonte sulmet ajrore. Në po të njëjtën ditë, me një shumicë bipartizane prej 58-41, Senati votoi në mbështetje të aksionit”.

Më njëzet e katër mars, Clintoni iu drejtua popullit amerikan duke shpjeguar psehun e asaj çfarë po bënte administrata e tij.

U shpjegova se Millosheviqi i kishte zhveshur kosovarët nga autonomia e tyre, u kishte mohuar të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë për të folur në gjuhën e tyre, udhëhequr shkollat e për të qeverisur veten. I përshkrova mizoritë serbe: vrasje civilësh, djegie fshatrash dhe dëbim njerëzish nga shtëpitë e tyre, gjashtëdhjetë mijë në pesë javët e fundit, dhe një çerek milioni gjithsejt”.

Fushata bombarduese, sipas ish-presidentit amerikan, pati tri synime: “t’i tregonim Millosheviqit se e kishim seriozisht që të ndalonte një rreth tjetër spastrimi etnik, të parandalonim një tjetër ofansivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë, dhe nëse Millosheviqi nuk do të hiqte dorë shpejt, do ta dëmtonim seriozisht kapacitetin ushtarak serb

Të ngjashme

Të fundit