Anëtari i Kryesisë së VV-së, Elvis Hoxha, është hedhur në sulm të mediave, opozitës dhe gjithë atyre që e kritikojnë Qeverinë Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se parti e tij po përballet me një sulm të përgjithshëm.
Përmes një statusi të gjatë, ai sulmon opozitën për votimin e Gjykatës Speciale.
Madje, këtë të fundit, ai e kritikon se nuk mban asnjë simbol të Republikës së Kosovës.
Zyrtari i VV-së harron se asnjë simbol shtetëror të Kosovës nuk mban as partia e tij në zyrat e saj.
“Po bëjnë sulm të përgjithshëm, me medie, me fake, me përgjime të supozuara që nuk dalin kurrë, me akuza për sigurinë e rrezikuar të Kosovës. E vetmja gjë që nuk llogarisin është humbja që sigurojnë në çdo aventurë të tyre. Këta opozitarë duan edhe veriun ta japin, edhe votat t’i marrin. Zajednicën e planifikuan vetë. Shkëmbim territorial planifikuan, por nuk ia dolën. Veriun e braktisën plotësisht në duar të bandave dhe kontrabandave. Gjykatën Speciale pa asnjë simbol të Republikës së Kosovës dhe me fakte vetëm nga Serbia e bënë vetë”, ka shkruar Hoxha, i cili ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.