Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vizituar sot Komunën e Preshevës me ç’rast është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Shqiprim Arifi.
Në një konferencë për media pas takimit, ambasadori Hill ka thënë se është përkrahës i madh i Ballkanit të Hapur, raporton Klan Kosova.
Ai ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ka theksuar se personat e përfshirë në këtë sulm duhet të japin llogari.
“Të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar, unë jam një përkrahës shumë i madh i Ballkanit të Hapur dhe i konceptit të bashkëpunimit rajonal. Këtu në Presheve, çështja e Ballkanit të Hapur nuk është vetëm një teori, pra ka të bëjë me zgjidhje të problemeve të qytetarëve”, ka thënë ai.
“Kështu që ne sot kemi diskutuar se si mund të bashkëpunojmë të ecim përpara dhe të gjejmë zgjidhje. Ajo çka është më e rëndësishme janë investimet dhe zhvillimi ekonomik i rajonit. Kjo që të arrihet duhet të fillojë nga niveli i arsimit e tutje”, ka shtuar ai.
I pyetur rreth rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës përmes së cilës është ndaluar përdorimi i dinarit serb në territorin e Kosovës, ai ka thënë se e mbështetë plotësisht deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quint-it, ku i bëhet thirrje BQK-së që ta pezullojë vendimin.
“Nuk do të ju befasoja nëse them se unë e përkrahi fuqishëm deklaratën e ambasadave të vendeve të Quint-it. Kështu që dialogu është platforma ku mund të zgjidhen problemet, edhe ajo sa i përket transaksioneve. Për çështjet e të drejtave fundamentale, duhet të ketë diskutime në mes të palëve”, është shprehur ambasadori Hill.
Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diplomati amerikan ka theksuar se kjo është rruga e vetme për të normalizuar raportet në mes të dy vendeve.
“Unë mendoj se rruga për marrëdhënie më të mirë në mes të Kosovës dhe Serbisë është përmes dialogut. Elementet për zgjidhje janë në tavolinë, është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë respektin më të madh për njerëzit që i përfaqësojnë dhe për ndërmjetësuesit e dialogut”, ka potencuar ai.
“Këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut, në mënyrë që ky dialog t’i hapë rrugën rajonit drejt BE-së sepse ky rajon vendin e ka në BE. Negociatat duhet të përfundojnë me një sukses ku të gjitha çështjet që janë në tavolinë duhet të respektohen”, ka thënë ambasadori.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hill ka thënë se ai duhet të jetë i bazuar në një model evropian.
Më tej, ai ka thënë se të dyja palët janë me fat që kanë një ndërmjetësues si të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Mendoj se jemi me fat që e kemi dikë si Lajçak që është duke u marrë me këtë proces dhe mendoj se të gjithë ne duhet t’i japim përkrahjen”, ka thënë Hill.
“Nëse unë do të mendoja se do të kishte një zgjidhje më të mirë se Asociacioni, atëherë unë do ta propozoja, por mendoj se nuk ka një zgjidhje më të mirë”, ka shtuar ai.
I pyetur rreth sulmit në Banjskë dhe llogaridhënies së personave të përfshirë në këtë rast duke përfshirë Radojiçiqin, ai ka thënë se duhet të ketë llogaridhënie për këtë çështje.
“Mendoj se ka një proces ligjor, por ne mendojmë se duhet të ketë llogaridhënie. Mund të ju siguroj se për të gjitha ngjarjet rreth Banjskës, ShBA-ja e kanë pasur një qëndrim shumë të qartë”, është shprehur ai.
Ndërsa kryetari Arifi ka thënë se ambasadori Hill është një mik i shqiptarëve dhe se është i kënaqur që ta pres atë në takim.