Jack Smith, njeriu që ngriti aktakuzat ndaj presidentit Donald Trump, tani është vetë nën hetim.

Por a do të ketë kjo ndikim në Gjykatën Speciale në Hagë? Sa ka gjasa të pezullohet dosja ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Avokati Ardian Bajraktari shprehet optimist se hetimi ndaj Smith, mund të ndikojë në procesin gjyqësor në Hagë.

“Fakti që janë ngritur disa aludime për Smith në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht që ka qenë e domosdoshme të nis një proces hetimor, para së gjithash për këto veprime në ShBA. Mirëpo unë jam optimist që kjo do të ketë impakt edhe në aktivitetet e tij në drejtim të Gjykatës Speciale, për faktin se ka shumë indikacione që çojnë në drejtim të këtij procesi të komprometuar”, u shpreh Bajraktari.

Nga ana tjetër, Adnan Sogojeva shpreh shpresën se hetimet ndaj Smith të nisin edhe për kohën sa ishte kryeprokuror në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë

“Krejt çka mundemi me thënë ne, është se veprimet e Jack Smithit, dëmin e madh ia kanë shkaktuar Kosovës. Aktakuza për Thaçin u ngrit sa ishte rrugës për në ShBA për një marrëveshje që mendoj se do të ishte historike, ku dhe iu ndërpre rruga presidentit. Shpresoj që hetimet kanë me u zgjeru, dhe do të prekin punën e tij në Gjykatën Speciale”, thotë Sogojeva.

Ndërsa Ardian Gaxherri dha një këshillë për Smith, duke i propozuar një profesion që do t’i shkonte për shtati.

“Smith më mirë të bëhej politikan, apo tuxhar të themi, sepse po shihet se ka direksione nga njerëz të ndryshëm, që kanë interesa të ndryshëm”, u shpreh kështu Gaxherri