Për tre muaj qëndroi brenda godinës së komunës në Leposaviq.
Krejt kjo për të mos lëshuar detyrën me të cilën u ngarkua vitin e kaluar.
Mirëpo mandatin e tij nuk do mund ta kryejë deri në fund.
Kjo pasi votimi për shkarkimin e tij do të mbahet më 21 prill.
E për aq sa qeverisi, Lulzim Hetemi thotë për Tëvë1 se komuna ka ndryshuar shumë që nga ardhja e tij në krye të saj.
“Kemi punësuar nga komuniteti serb, dikund 256 persona pa e llogaritur kryetarin me kabinet të vetin. Zyret janë të gjitha këtu, qendra për punësim ka qenë në një ndërtesë tjetër e kemi sjellë këtu ka qenë me qera, kadastri është këtu, prej vitit 1999 deri më tani, në veri nuk është lëshuar asnjë dokument kadastral i Republikës së Kosovës” , ka deklaruar Hetemi.
“ Para vitit të ri kemi ndarë subvencione nga 500 euro, 438 mijë euro shuma totale ka qenë, Bujqësi, Shëndetësi dhe për studentë.”
Teksa bën të ditur se nëse votohet shkarkimi i tij, do t’ia ndjejë mungesën komunës.
“Kryetari Hetemi është më i mirë se sa 5-6 që kanë qenë deri sot, gjithherë do të na mungoj, por do të punojmë edhe kur dalim prej këtu, duhet që të jetë i pranishëm që të mos kthehet si ka qenë para 23 viteve” , ka thënë ai.
E kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri përmend rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike, gjatë qeverisjes së tij.
“Me rëndësi që marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të mira, kemi komunikime të përditshme qytetarët nuk kanë ndonjë vërejtje deri më tani pjesa e madhe po flas, përkundrazi kanë kërkesa, subvencione, qoftë punësimit” , ka pohuar ai.
Sipas Zeqirit, u rregulluan me ligj edhe simbolet shtetërore.
“Të gjitha sa i përket vulave, simboleve janë të rregulluara me ligj, natyrisht brenda ligjit çfarë të punohet është normale që Republika e Kosovës i ofron akomodim gjithë qytetarëve, gjitha etnive”.
Televizioni ka tentuar të marr një qëndrim edhe nga dy kryetarët aktual, Erden Atiq i Mitrovicës së veriut dhe Iliri Peci i Zveçanit, por nuk kanë qenë të qasshëm.
Në maj të vitit 2023, katër kryetarët morën detyrën, për çka pastaj kulmuan edhe tensionet, ku mbeten të plagosur pjesëtarë të KFOR-it, dhe u sulmuan edhe gazetarët.
Votimi për shkarkimin e tyre do të mbahet më 21 prill.