12.3 C
New York
Saturday, November 16, 2024

Buy now

Heshtje para zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

- Advertisement -

Sot në Maqedoninë e Veriut është heshtje para zgjedhjeve presidenciale që mbahen nesër, por nga ana tjetër vazhdon pa pengesa fushata e zgjedhjeve parlamentare të cilat mbahen pas dy javësh.

Në garën presidenciale janë shtatë kandidatë. Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Nuk pritet që nesër të ketë fitues, ndërsa dy kandidatët me më tepër vota do të kalojnë në balotazhin e 8 maji.

Partitë shqiptare gjatë fushatës, në qendër të vëmendjes kishin rrezikun për vendin nga ndikimi rus. Ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim me Frontin Evropian akuzojnë opozitën shqiptare se po bie pre e ndikimit keqdashës rus të shfaqur përmes paraqitjeve të VMRO-së, koalicioni i njohur si VLEN akuzon BDI-në për afërsinë me regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Por, asnjëra palë nuk ka arritur të ofrojë argumente mbi akuzat e bëra.

Retorika midis BDI-së dhe VMRO-së nga ana tjetër ka qenë po aq e ashpër. VMRO akuzon partinë shqiptare për korrupsion, kapjen e shtetit dhe dëmtime të interesave të popullit maqedonas.

Garuesit shqiptarë Bujar Osmani dhe Arben Taravari shprehin bindjen se do të kalojnë në balotazh, por kjo vështirë se mund të ndodhë. Të dy koalicionet, ndërkohë e quajnë veten fitimtarë.

Bujar Osmani tha në tubimin përmbyllës në sheshin qendror të Shkupit se: “Si presidenti juaj zotohem se do ta bëjmë vendin anëtar të Bashkimit Evropian dhe atë deri në vitin 2030. Zotohem para jush për aleancë të pandarë me SHBA-në. Zotohem për zgjedhje të presidentit në Kuvend me shumicë të dyfishtë. Zotohem për një bord ndërkombëtar për certifikimin e të gjithë bartësve të posteve publike për lidhje me Rusinë dhe për korrupsion”, tha zoti Osmani.

Ndërkohë, Arben Taravari i koalicionit “Vlen” duke folur nga sheshi Skenderbe në Shkup tha se programi i tij për president do ta bëjë Maqedoninë e Veriut një shtet më të mirë për të gjithë: “Programi ka katër shtylla kryesore. E para, integrimi në BE dhe jo një Ballkanin e Hapur. E dyta, siguria dhe jo bizneset ruso-serbe. E treta, shteti i së drejtës dhe jo korrupsioni dhe e katërta, demokracia konsensuale dhe jo majorizimi”.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska është shprehur se koha e kësaj kushtetute ka kaluar dhe duhet një kushtetutë e re ku do të bëheshin ndryshime në çështjet e marrëdhëneve ndëretnike, duke lënë kështu hapësirë për rishikimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Presidenti aktual Stevo Pendrovski, i cili garon për një mandat të dytë thotë se është e pashembullt qasja e një profesoreje të Juridikut, siç është Siljanovska, 23 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit që së pari solli paqen dhe i vendosi themelet e shtetit dhe shoqërisë shumëetnike dhe bëri që vendi të anëtarësohet në NATO dhe të avancojë drejt BE-së, ta kontestojë këtë dokument.

Mesazhi im për ata është: Mos luani me fatin e Maqedonisë. Këto Marrëveshje janë themelet e sigurisë së shtetit. Thoni qytetarëve se çka keni ndër mend të bëni me standardin jetësor në aspketin e ekonomisë, çështjeve sociale, luftën kundër korrupsionit, por, mos e prekni anëtarësimin në NATO, në BE; mos i prekni marrëveshjet që paraqesin bazë të ekzistencës sonë dhe të pajtimit midis nesh, sepse e çoni vendin drejt një zone të rrezikut”, u shpreh zoti Pendarovski gjatë një tubimi në qytetin e Manastirit.

Në garë janë edhe Maksim Dimitrievski, i cili aktualisht ëhtë kryetar i komunës së Kumanovës dhe drejtues i partisë së quajtur ZNAM, Stevçe Jakimovski i Opsionit Qytetar për Maqedoninë dhe kryetar aktual i komunës së Karposhit në Shkup; së fundmi i përcaktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion të lartë dhe Biljana Vankovska e partisë nacionaliste “E Majta” që kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO dhe shpreh mosbesim ndaj Bashkimit Evropian.

Gara presidenciale shikohet po ashtu si një lloj matësi i disponimit të elektoratit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar. Që një garues për president të fitojë në raundin e parë i duhen 50 përqind, plus një votë më tepër e elektoratit që duhet të ketë kaluar shkallën e daljes prej 40 për qind në votime.

Kjo, pothuajse asnjëherë nuk ka ndodhur dhe dy kandidatët me më tepër vota kalojnë në balotazh pas dy javësh.

Votat e elektoratit shqiptar zakonisht përcaktojnë fituesin nga radhët e dy partive më të mëdha maqedonase, por për këtë duhet të bëjnë thirrje partitë shqiptare se kujt duhet dhënë vota./VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit