Edhe për sulmin terrorist në Basnjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, edhe aktakuza por edhe faktet që janë prezantuar nga Policia e Kosovës tregojnë qartë përfshirjen shtetërore të Serbisë, në furnizim, trajnim dhe organizim të sulmit.
Përkundër se faktet janë publike e madje ndërkombëtarët kanë ndihmuar në gjetjen e tyre, deri më tani nuk ka pasur reagime, përpos deklaratave pas Banjskës që mbetën vetëm të tilla, deklarative.
TV Dukagjini ka kërkuar të ketë një qëndrim nga Ambasada amerikane, britanike, gjermane e franceze në Kosovë.
Përpos nga ambasada gjermane, të tjerat përfaqësi dipolmatike nuk e kanë komentuar këtë çështje.
“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet dhe presim që autoritetet serbe të bashkëpunojnë plotësisht me homologët e tyre kosovarë, në përputhje me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike. Megjithatë, Ambasada Gjermane nuk komenton mbi gjyqet në zhvillim”, u tha nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Edhe nga Bashkimi Europian kanë zgjedhur të heshtin përballë fakteve që e dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmet terroriste ndaj Kosovës.
Prapa gjithë këtyre sulmeve sipas profesorëve ndërkombëtar qëndron pushteti i Vuçiqit i cili që nga viti 2012, përpos që e ka kapur shtetin e pushtetin, ka pasur edhe një qëllim tjetër, ndarjen e Bosnjës dhe shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës.
Aidan Hehir, profesor në universitetin publik në Londër, “Westminster University”, vlerëson se armatimi në Kosovë me origjinë nga Beogradi, ka ardhur bashkë me propagandën e Vuçiqit se kinse ndaj serbëve në Kosovë po kryhet spastrim etnik.
“Qëllimi është i qartë: të shkaktojnë trazira, të krijojnë një krizë që përfshin konflikte të hapura mes serbëve të Kosovës dhe forcave të sigurisë së Kosovës, dhe pastaj të dërgojnë trupat serbe për të “rivendosur rendin”. Vuçiq po kopjon thelbësisht taktikat e përdorura nga Millosheviqi në vitet 1980 dhe gjithashtu nga udhëheqësi i tij shpirtëror, Putini, në Ukrainë”, tha Hehir.
Hehir thotë se komuniteti ndërkombëtar në vend se t’i luftojë këto veprime të Serbisë, i ka mbyllur sytë duke e ndjekur politikën e pajtimit, për të cilën historia tregon se nuk funksionon, duke i dhënë hapësirë një konflikti që mund të jetë i pashmangshëm.
“Në veçanti, populli i Kosovës duhet të zgjohet ndaj realitetit se KFOR-i ka qëndruar duarkryq ndërsa Serbia ka kontrabanduar armë në Kosovë për vite me radhë, ka mbështetur aktivisht ata që janë përfshirë në aktivitete terroriste brenda Kosovës dhe gjithashtu ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës disa herë gjatë pesë viteve të fundit”.
“Supozimi se KFOR-i është efektiv dhe i përkushtuar në mbrojtjen e Kosovës duhet, pra, të vihet në pikëpyetje, dhe KFOR-i duhet të mbahet përgjegjës për dështimet e tij deri tani. Është thelbësore që politika e KFOR-it, që thjeshtë të vëzhgojë dhe raportojë për sjelljen e Serbisë, të zëvendësohet me një angazhim shumë më aktiv dhe me publikimin e vlerësimeve transparente për mënyrën se si milicitë serbe u armatosën dhe rolin e Serbisë në mbështetjen e terrorizmit brenda Kosovës”, u shpreh ai.
Ashtu sikurse Hehir edhe njëri ndër njohësit më të mirë të politikës Rajonale dhe asaj në Serbi, Ben Andoni porosit që përçarja në Kosovë të zhduket nga skena politike, në mënyrë që të luftohet propaganda serbe.
“Nuk kanë për të qenë radikal asnjëherë ndaj Serbisë, ky është iluzion i yni, për arsyen e vetme se Serbia ka konjukturat shumë më të mëdha se shqiptarët në BE, por neve i bëjmë një shërbim të madh Serbisë kur jemi kaq shumë të përqarë, i vetmi moment për ne për shkak sepse siguria kombëtare e Kosovës është e rrezikuar në çdo moment është që faktori politik kur është puna për Kosovën të ketë narracion të përbashkët, sepse ma besoni këtë autoritet e Brukselit janë gati të gjejnë çdo lloj elementi për të sformuar gjithçka që bën Serbia”, u shpreh Andoni.
Andoni thotë se autoritetet ndërkombëtare vlerësojnë se e kanë kryer punën e tyre në momentin që terroristët në Banjskë janë detyruar të tërhiqen dhe e dyta ata e kanë për synim qetësimin e Serbisë përballë problemeve të mëdha që ajo paraqet, në vend të demokratizimit të saj.
Sipas tij pritjet për presion dhe ndëshkim të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë për përfshirje terroriste në Kosovë, janë iluzione e jo realitet.






