Kryeministri në detyrë, Albin Kurtim sot ka shprehur ngushëllimi për vdekjen e Komandantit të Togut në Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjakovë, Kaqun Limës, i cili mbrëmë humbi jetën në krye të detyrës.
Megjithatë, shefi i qeverisë nuk i përmendi kushtet e rënda në të cilat ka punuar i ndjeri Kaqun Lima dhe kolegët e tij.
Në adresimin e tij, Kurti nuk foli as për injorimin e vazhdueshëm të kërkesave të zjarrfikësve të Kosovës.
“Në emër të kabinetit qeveritar i shpreh ngushëllime familjes Lima dhe të gjithë kolegëve të Kaqun Limës, Komandantit të Togut në Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjakovë. Ai humbi jetën në krye të detyrës, teksa ishte rrugës për të shërbyer. Do të kujtohet gjithmonë për vetëmohimin në çdo ditë të punës, përkushtimin e lartë ndaj detyrave dhe përgjegjësive, si dhe shembullin për të tjerët si udhëheqës i Togut”, ka thënë Kurti para anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Vdekja e zjarrfikësit në krye të detyrës ka rikthyer edhe një herë vëmendjen për kushtet e rënda në të cilat punojnë zjarrfikësit e Kosovës.
Me uniforma, pajisje të vjetruara dhe pa kompensim për rrezikshmërinë, ata edhe këtë verë janë përballur me shumë vatra zjarri në Kosovë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Kjo ka bërë që njohësit e emergjencave dhe politikanë të caktuar të kërkojnë nga Qeveria që të reflektojnë karshi kërkesave të tyre.
Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, ka vlerësuar se vdekja e Kaqun Limës nuk duhet të kalojë pa reflektim.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka shkruar se zjarrfikësve duhet të iu njihet rrezikshmëria në punë.
“Dje humbi jetën një zjarrfikës në krye të detyrës, teksa ishte në shërbim, duke bërë atë që kishte bërë gjithë jetën duke mbrojtur të tjerët. Por ky rast nuk duhet të kalojë pa reflektim. Zjarrfikësit në Kosovë punojnë në kushte të rënda, pa mjete adekuate, shpesh me pajisje të vjetruara dhe pa mbështetje të duhur institucionale. Rreziku është pjesë e përditshmërisë së tyre, por shteti ka dështuar të njohë dhe shpërblejë këtë rrezik. Pagesa e shtesave për punën e rrezikshme u është mohuar, ndonëse çdo ditë dalin përballë flakëve, aksidenteve, dhe jetojnë me pasigurinë se ndoshta nuk do të kthehen në shtëpi. Respekti dhe obligimi institucional nuk janë vetëm fjalë në ditë zie, por janë përkujdesje e vazhdueshme dhe detyrë morale e njerëzore”, ka shkruar Ahmeti.
E shqetësuar me kushtet e zjarrfikësve është shprehur edhe deputetja e LDK-së, Arjeta Salihu-Abazi.
“Jam thellësisht e shqetësuar për gjendjen e rëndë në të cilën operojnë zjarrfikësit në Podujevë. Gjatë vizitave qe kemi bërë në stacionin e zjarrfikësve, jemi njoftuar se me vetëm 17 punëtorë aktiv, prej të cilëve vetëm 4 për ndërrim, ata përballen çdo ditë me rreziqe të mëdha për jetën dhe shëndetin, ndërkohë që u mungojnë plotësisht kushtet bazike të punës: Nuk u paguhet rrezikshmëria në vendin e punës; Nuk janë ndërruar uniformat teknike prej më shumë se 5 vitesh; Nuk ka klimatizim në ambientet e punës, as higjienist, e as staf mbështetës sezonal; Nuk u bëhet kompensimi për orët shtesë dhe sakrificën në plotni”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Ai ka shprehur disa kërkesa ndaj institucioneve. “Prandaj kërkojmë nga Komuna e Podujevës dhe institucionet përkatëse që urgjentisht të ndërhyjnë: • Të rritet numri i punonjësve aktivë; • Të ndahen mjete për pajisje dhe uniforma moderne; • Të sigurohet pagesa e rrezikshmërisë dhe kompensimeve të merituara; • Të përmirësohen kushtet teknike dhe higjienike në ambientet e punës”, ka shkruar ajo.
Ditë më parë edhe sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës kërkoj reflektimin e Qeverisë ndaj kërkesave të zjarrfikësve.
“Edhe këtë vit, kjo ditë e rëndësishme i gjen zjarrfikësit e Kosovës në një pozitë të vështirë – të injoruar, të nënvlerësuar dhe të lënë pas dore nga institucionet shtetërore. Pa kushte të përshtatshme pune, pa pajisjet e nevojshme, pa sigurime shëndetësore e shoqërore, me uniforma të vjetruara dhe pa kompensim për rrezikun që përballojnë çdo ditë – zjarrfikësit tanë vazhdojnë të jenë shembull i përkushtimit dhe humanizmit. Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të dëgjojë me seriozitet kërkesat e zjarrfikësve dhe të reflektojë sa më parë. Më shumë se kurrë më parë, këta profesionistë kanë nevojë për mbështetjen e shtetit”, është thënë në komunikatën e SPAK.