Trajneri i Feronikeli ’74, Granit Begolli, ka komentuar për Gazetën Express pas bashkimit të ish-kapitenit të Kosovës, Herolind Shala, me skuadrën.
“Marrëveshjen për bashkimin e Herolindit në ekip e ka bërë drejtori sportiv, Lapidar Lladrovci. Ne biseduam me të dhe e mirëpritëm mundësinë që të na bashkohet,” tha Begolli.
Ai shtoi se Shala pritet të ketë një rol të veçantë, si në zhveshtore ashtu edhe në fushë, duke ndihmuar djemtë e rinj dhe ekipin të japin maksimumin: “Herolindi do të jetë një vlerë e shtuar për ne dhe për arritjen e objektivit tonë, që është ngjitja në Superligë. Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse edhe skuadrat tjera janë forcuar, por do të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin”.
Begolli theksoi se do të duhet pak kohë që Shala të arrijë gjendjen e duhur fizike: “Shpresojmë që sa më shpejt të përgatitet dhe të na ndihmojë në arritjen e objektivit. Për kualitetin e tij, nuk ka dyshim, dhe jemi të bindur që do të kontribuojë shumë në këto ndeshje të mbetura të kampionatit.”






