Ministri i i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka kërkuar falje për ofendimet që iu kishte bërë veteranëve të Luftës Çlirimtare në Kosovë.
Murati, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka sqaruar deklaratën ofenduese, ku thotë se është shprehur në formë mllefi ndaj fryrjes së lisave të veteranëve që, sipas tij, po shtrembëronin historinë e luftës.
“Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”, thuhet mes tjerash në postimin e tij.
“E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka thënë ndër të tjera ministri Murati.
Kërkimfalja e Muratit vjen pas një presioni të madh të mediave e shoqërisë civile. Për ministrin Murati, është organizuar edhe një protestë nga PSD-ja, e cila po kërkon me ngulm shkarkimin e tij.