5.6 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Hekuran Murati i la 30 mijë banorë të Malishevës pa ujë, nuk e nënshkruan garancionin për kredinë e butë 12 milionëshe nga Austria

- Advertisement -

Një projekt për realizimin e sistemit të ujit të pijes, që kap vlerën prej 12 milion euro e që është mundësuar nga Austria përmes një kredie të butë me afat kthimi për njëzet vite, për Komunën e Malishevës rrezikon të mos realizohet, për shkak të neglizhencës së Qeverisë së Kosovës, konkretisht ministrit së Financave, Hekuran Murati, raporton FrontOnline.

Realizimi i këtij projekti do të mundësonte që 70% e qytetarëve të Komunës së Malishevës apo rreth 30 mijë banorë të përfshiheshin dhe të bëheshin me ujë të pijes.

Për projektin në fjalë, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, thotë që ka dërguar së paku tri letra në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të financave, Hekuran Muratit, ku ka kërkuar që të merr letër garance, por përkundër saj i pari i kësaj komune nuk ka marr përgjigjie nga kryeministri e ministri i Financave i Kosovës.

Ky projekt është i pamundur të realizohet pa aprovimin e Qeverisë së Kosovës, përkundër se mjetet për të janë të siguruara nga Austria dhe përkundër gatishmërisë së Komunës së Malishevës.

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, në një prononcim për FrontOnline, thotë se i ka dërguar tri letra, dy në drejtim të Ministrisë së Financave dhe një në drejtim të Qeverisë së Kosovës, por që nuk ka gjetur asnjë përgjigjie nga ana e tyre.

Tri letra i kam dërguar, një e kam dërguar fillimisht tek Hekuran Murati, nuk është përgjigj, ia kam dërguar kryeministrit Kurti të dytën nuk është përgjigj, ja kam dërguar të tretën Hekuran Muratit, por asnjëri nuk është përgjigj. Unë s’kam marr asnjë përgjigje, as po as jo, as e bëjmë as nuk e bëjmë këtë punë për qeta, as e bëjmë’’ thotë Kastrati për FrontOnline.

I pari i Malishevës, deklaron se komuna të cilën ai e udhëheq edhe po të i ketë paratë në xhirollogarinë e tyre, nuk mundën me e bërë projektin për ujin e pijshëm për qytetarët e Malishevës, pasi që sipas tij, pa përkrahjen e Qeverisë kjo gjë nuk mund të ndodhë, për shkak se ujin duhet marr nga Liqeni i Radoniqit e deri në Malishevë, gypat duhet kalojnë nëpër territor të Komunës së Gjakovës dhe Rahovecit, e që janë nën administrim të qeverisjeve tjera lokale.

‘’Komuna e Malishevës edhe me i pas paratë në xhirollogarinë e vetë, nuk mundemi me marrë ujë në Liqenin e Radoniqit sepse ai është në Komunë të Gjakovës. Gypi duhet me ardhur përmes Gjakovës, përmes Komunës së Rahovecit, në Ratkoc, Qifllak e këndej. Pa e pasur përkrahjen e Qeverisë ne ketë punë nuk mund ta bëjmë sepse ujin e kemi në territorin e një komune tjetër, që dy komuna duhet me i kalu. Nuk kemi drejt me hap gypa ose kanale nepër komuna tjera, pa lejen e Qeverisë, pa miratimin e Qeverisë’’ shprehet Kastrati për FrontOnline.

Kreu i Malishevës, Ekrem Kastrati, thotë se i kanë siguruar paratë për këtë projekt në Austri, përmes një kredie të butë me afat kthimi prej 20 vitesh dhe se projekti do të përfundonte brenda tri viteve, por për shkak të neglizhencës së Qeverisë kjo nuk po ndodhë.

‘’Ne i kemi gjetur paratë për këtë projekt, përmes një kredie të butë nga Austria për me i kthyer për 20 vjet e që ujë kishim mundur me pasur pas tri viteve që banka ka kërkuar një garancion si letër mbështetëse nga Ministria e Financave, që Qeveria na përkrah neve në këtë projekt, por s’kemi marr përgjigje edhe pse fondet janë siguruar’’ potencon ai për FrontOnline.

Kastrati, thotë se Qeveria e Kosovës, ka qenë dashur të i bëjë dy veprime për këtë çështje.

‘’Qeveria ka qenë dashur të i bëjë dy veprime, së pari lejimin e fondeve nga Austria, por edhe hapi i dytë me autorizu sistemin e KRU Gjakova për me pasur ne të drejtën që me marr qasjen ne atje’’ thekson ai.

I pari i Malishevës, Ekrem Kastrati, për FrontOnline, potencon se ky projekt do të siguronte ujë të pijes për rreth 70% të Komunës së Malishevës.

‘’Ne kemi menduar që përmes këtij projekti gjithë territori i Malishevës të furnizohet me ujë, diku 70% e territorit të Malishevës me u përfshi me ujë të pijes dhe për të tjera’’ deklaron Kastrati.

Kryetari Kastrati, deklarn se ky projekt e kap vlerën prej rreth 12 milion euro.

‘’Ky projekt vlerën e ka pasur në rreth 12 milion euro. Akoma jemi në pritje të përgjigjes nga Ministria dhe Qeveria. Edhe nga Rodoniqi na kanë thënë se ka ujë mjaftueshëm’’ thekson ai për FrontOnline.

Kastrati, përmend edhe faktin se VV ka fituar zgjedhjet e vitit 2021 në Malishevë dhe që sipas tij Qeveria e ka përgjegjësinë me u kujdes për banorët e komunës të cilën ai e udhëheq.

‘’Vetëvendosje ka dal e para në Malishevë për 300 vota, pra kjo Qeveri e ka përgjegjësinë me u kujdes për këta njerëz. Dy deputetë që i kemi në Kuvend, kurrë nuk janë qu në Kuvend e me thënë se e ndajmë një shqetësim se banorët e Malishevës nuk kanë ujë’’ deklaron ai.

FrontOnline, ka provuar të merr përgjigjie edhe nga deputeti Gani Krasniqi e deputetja Jetmira Vrenezi, të dy deputetë të Vetëvendosjes dhe që vijnë nga Komuna e Malishevës, por nuk janë përgjigjur në thirrjet tona. Po ashtu FrontOnline, ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Financave për ti pyetur për këtë çështje, por që nuk kanë kthyer përgjigjie deri në momentin e publikimit të këtij artikulli./FrontOnline/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit