Atdhetari i shquar dhe ish-bashkëpunëtori i presidentit Hashim Thaçi, Hektor Beqiri, ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke e cilësuar atë si një nga liderët më të suksesshëm në pushtetin lokal, transmeton portali DrenicaOnline.
Beqiri theksoi se Lladrovci është një “luftëtar i pakompromis kundër korrupsionit, vendimeve të paligjshme dhe uzurpimit të pronës publike”, duke e vlerësuar si një shembull të qeverisjes së ndershme dhe transparente.
“PDK e ka krenari suksesin e tij. Ai ka dëshmuar se është një zbatues i përpiktë i ligjit, një lider që nuk i frikësohet sfidave dhe një kampion i qeverisjes së mirë”, u shpreh Beqiri.
Ai shtoi se përkrahja për Lladrovcin duhet të jetë e plotë, duke theksuar se ai ka marrë gjashtë herë vlerësime në nivel kombëtar për qeverisjen e tij.
“Ramizi i jep shpirt punës, ligjit dhe besimit qytetar për trajtim të barabartë. PDK ka arsye të jetë krenare me të”, përfundoi Beqiri.
Postimi i plotë:
Liria e Kosovës ka shumë heronj, po ashtu, shtendërtimi ka shumë heronj. Të gjithë ata që realizojnë projekte për qytetarët, shtojnë perspektivën për investitorët, kursejnë buxhetin, shkëlqejnë në qeverisje, menaxhojnë me sukses situatat me interes qytetar, janë, heronjtë e sotëm që i duhen Kosovës.
Ramiz Lladrovci është ndër heronjtë e të sotmes, me punën e angazhimin e tij të vazhdueshëm në krye të pushtetit lokal, një zbatues i përpiktë i ligjit, luftëtar i pa kompromis kundër korrupsionit, kundër vendimeve të paligjshme dhe arbitraritetit, kundër keqpërdorimit të pronës publike dhe uzurpimit, kundër deformimeve në pushtetin lokal.
Partitë politike kur i përzgjedhin kandidaturat për kreun e komunës i marrin parasysh të gjithë faktorët, më së shumti faktorin e simpatisë së qytetarëve për kandidatin, pra, a i fiton zgjedhjet. Kur PDK vendosi ta kandidojë Ramizin, ishte sfidë, sepse, nuk ishte i dëshmuar në pushtet lokal, por, sot, PDK e ka krenari suksesin e tij, gjashtë herë kampion në nivel nacional për qeverisjen e mirë.
Ramizi, është shok e mik i dëshmuar, i cili nuk ia ka frikën sfidave, por, padrejtësinë nuk e duron. Përkrahja e tij nga partia, edhe për një mandat, pres të jetë e plotë, e njëzëshme dhe pa asnjë dyshim, si kryetari nga kjo parti me më së shumti vlerësime nga organizatat vendore e ndërkombëtare.
Ai i jep shpirt punës, përkushtimit, rendit, ligjit dhe besimit qytetar për trajtim të barabartë, vlera këto, vështirë të realizueshme sikur në qeverisjen e Ramiz Lladrovcit. PDK ka potencial të mjaftueshëm për të vlerësuar arritjet e tij duke i dhënë përkrahje për vazhdimin e qeverisjes së mirë, në komunën me shumë shkatërrime dhe sakrificë për liri.
Jam krenar me miqësinë e Ramiz Lladrovcit!