10.9 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Hehir: Me Trump mund të rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve

- Advertisement -

Më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpi të Bardhë u nënshkrua një marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Lidhja Demokratike e Kosovës marrëveshjen e Uashingtonit e cilësoi si diçka historike për Kosovën.

Madje ish-kryeminstri i vendit, Avdullah Hoti, pati thënë se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar nga vet ai mbetet më e mira që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, edhe pse kjo marrëveshje asnjëherë nuk gjeti zbatim.

Por, profesori nga Westminster University, Aidan Hehir, vlerëson se ajo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ishte vetëm një farsë.

Sipas tij shteti i Kosovës u instrumentalizua dhe u përdor për interesat personale të Donald Trump.

“Ajo marrëveshje e vitit 2020 ishte vetëm një farsë dhe nuk kishte të bënte me Kosovën. Pasi që u nënshkrua marrëveshja, Trump tha se ishte një ditë e mirë për paqen në Lindjen e Mesme. Në fakt, Kosova u përdor për të krijuar një imazh të Trumpit si burrështetas ndërkombëtar dhe se ai është i aftë të krijojë paqe në botë, këtë dëshmon edhe përfshirja e Izraelit. Në marrëveshje u përfshinë elemente; si dekriminalizimi i homoseksualitetit, palët të mos përdorin internetin e Kinës dhe produktet e tyre, si dhe çështje të tjera si këto. Pra thjesht Kosova u instrumentalizua dhe u përdor për interesat e Trumpit. Ndërsa Richard Grenell që nga viti 2020 kur Trump humbi zgjedhjet kundër Biden, u bë më shumë si zëdhënës i interesave të Serbisë. Nëse ai merr ndonjë pozitë të rëndësishme në këtë administratë, atëherë do të jetë shumë e vështirë për Kosovën për të lëvizur përpara”, thotë ai për Tëvë1.

Hehir nuk e përjashton mundësin që të rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve gjatë administratës Trump.

Ai thotë se këtë ide e mbështet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Fillimisht nuk ishte ideja e Trump për shkëmbimin e territoreve, për këtë çështje është diskutuar edhe më herët. Kjo ide ishte shtyrë përpara në kohën e Obamës dhe ishte përkrahur nga disa politikanë evropianë dhe disa shtete brenda bllokut evropian përfshi këtu Austrinë. Dikush si Trump dhe njerëzit të administratës së tij kanë vështirësi ta gjejnë në hartë Evropën e lëre më Kosovën. Atyre nuk iu intereson integriteti territorial i shteteve të Evropës Juglindore. Ata e kanë parë kështu, nëse në një pjesë të Serbisë jetojnë shumicë shqiptare dhe në një pjesë të Kosovës jetojnë shumicë serbe, atëherë ata thonë le ta bëjmë një shkëmbim duke menduar se gjithçka do të jetë në rregull. Nuk e përjashtoi si mundësi që kjo të ndodhë gjatë kohës së Trump. Kjo ide do t’i pëlqente Aleksandar Vuçiqit dhe politikanit tjetër nacionalist, Milorad Dodik”, vlerëson Hehir.

Ndërkohë në Kosovë po pritet të shihet se cila do të jetë qasja e administratës së re amerikane nën Donald Trump, nëse do insistohet në zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit apo do të përkrahet marrëveshja e Ohrit e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ish- i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pritet të mbaj një post të rëndësishëm edhe gjatë administratës Trump 2.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit