Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri i ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke pohuar se nga ngjarjet e fundit situata është rënduar tej mase. Haziri për IndeksOnline ka thënë se Qeveria e Kosovës, përmes dialogut, është dashur të parandalojë çfarëdo tendence për tensionim të situatës.
“Qeveria është dashur që ta preventoj, me masa ekzekutive dhe përmes dialogut çdo lloj tendence, për tensionim të situatës. Përfshirë dhe skenarin e bojkotit apo lëshimit të institucioneve të Kosovës, nga ana e përfaqësuesve të komunitetit etnik serb. Sepse është punuar shumë, që ata të integrohen përmes një procesi të vështirë të shpërbërjes së strukturave paralele”, tha Haziri
Haziri po ashtu pohoi se së bashku me partnerët ndërkombëtar me z.Lajçak dhe SHBA-të, duhet urgjentisht të gjendet një zgjidhje për dalje nga kjo situatë.
“Tani më çka duhet të bëjmë, jemi në piken zero. Një situatë të mesme, ku institucionet janë të braktisura, po ku njerëzit presin zgjidhje politike. Mençuria do të ishte që me partnerët tanë ndërkombëtar me z Lajçak dhe ma ambasadën e SHBA-së, urgjentisht të ulemi për të gjetur zgjidhje të daljes nga kjo situatë e rënduar tej mase”, tha Haziri.
E sa i përket dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të Listës Serbe, Haziri theksoi se kjo e rëndon situatën jashtëzakonisht shumë dhe procesin e dialogut për normalizim e minon politikisht, duke e kthyer tash në një proces për normalizimin e një pjese të territorit të Kosovës.
“Ishte paralajmëruar në fakt, deputetët kanë prirë me lëshimin e vendeve. Sepse z. Rakiq përfaqëson Listën politike serbe, e cila është e përfaqësuar në nivel qendror, në Qeveri dhe i ka dhënë legjitimitet kushtetues, ligjor qeverisjes Kurti kur është zgjedh. Tani largimi i tyre dhe nga Qeveria dhe bashkëngjitja e të tjerëve, e rëndon situatën jashtëzakonisht shumë dhe procesin e dialogut për normalizim e minon politikisht, duke e kthyer tash një proces për normalizimin e një pjese të territorit të Kosovës. Tani sot e disa ditë ne po merremi vetëm me çështjen e një pjese të territorit e Kosovës, që jemi të interesuar të çtensionohet dhe normalizohet gjendja në veriun e Kosovës”, tha Haziri.