Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për lajmi.net ka folur për Marrëveshjen Bazë të Brukselit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Haziri ka thënë se LDK është për një marrëveshje obligativisht ligjore me Serbinë, përmes së cilës shteti fqinj e njeh de-jure Kosovën. Ai shton se Kosova nuk vuan për njohje de-fakto nga Serbia.
“Kryeministri Kurti me Marrëveshjen e Ohrit më 18 mars dhe atë të Brukselit më 28 shkurt e ka bo marrëveshjen ma të keqe sepse ajo marrëveshje njihet si e përkohshme. Tani krejt këtë tregim Zoti Kurti dhe mbështetësit e tij po mundohen me shit si njohje de-fakto. Ne nuk kemi vujt për njohje de-fakto. Republika e Kosovës për neve ka ekzistu prej 2 korrikut 1990 dhe ne e kemi ndërtu realitetin tonë dhe kemi punu me çdo individ, organizatë, institucion deri sa e kemi mbërri një njohje të Kosovës në këtë shkallë që e kemi. Na ka mbet me përmbyll shtetndërtimin që është e fundit…Ne jemi për një njohje obligativisht ligjore nga Serbia”, ka thënë Haziri për lajmi.net.
Tutje ai ka shtuar se BE po përgatiste përgatit pakon e dytë të masave ndëshkuese, megjithatë thotë se sulmi terrorist i 24 shtatorit e nxjerri Serbinë si burim destabiliteti.
“Ne jemi Qeveri me masa ndëshkuese. Qeveri që imazhin në Bruksel dhe Washington e ka pasë për toke. Qeveri që fillun me na atribuu neve si Kosovë, me përgatit pakon e dytë të masave ndëshkuese. 24 shtatori nxjerri në sipërfaqe krejt atë destruktivitet edhe burim destabilizimi që Serbia e ka. Ataku terrorist Serbinë e nxjerri si shtet sponsor ku brenda saj njerëzit ushtrohen, furnizohen, armatosen, përgatisin akte e shkaktojnë pasiguri te fqinjët e saj. Pas reagimit të policisë tonë, për çdo respekt e lëvdatë për mënyrën si e kanë zbatu operacionin atë ditë, ia kanë kthy imazhin e mirë Kosovës”, ka shtuar Haziri.