16 C
New York
Thursday, May 1, 2025

Buy now

Haziri: S’do të shkojmë në takim, Kurti po e kushtëzon procesin

- Advertisement -

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kreu i LVV-së, Albin Kurti më 1 maj, për konsultime rreth konstituimit të Kuvendit.

Ai ka deklaruar se LDK-ja i është përgjigjur qartë ftesës që në herën e parë dhe se nuk ka arsye për t’u kthyer në diskutime mbi çështje që tashmë janë të qarta.

“Nuk marrim pjesë nesër në takim, sepse përgjigjen tonë e ka marrë që me ftesën e parë”, ka deklaruar Haziri në Debat Plus.

Ai e cilësoi si të papranueshme që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të trajtohet si çështje procedurale, duke theksuar se ky është një proces që kërkon marrëveshje politike mes partive.

“Kryetari i Kuvendit është figurë politike që propozohet nga partia e parë dhe ajo duhet të punojë për ndërtimin e një marrëveshjeje politike. Nuk ka nevojë të diskutohet për një të drejtë të fituar”, ka theksuar Haziri.

Ai e akuzoi Kurtin për tentim të kushtëzimit të procesit duke e lidhur zgjedhjen e kryetarit me atë të tre nënkryetarëve.

“Nëse thuhet ‘bisedojmë për kryetarin sepse janë edhe tre nënkryetarë’, atëherë kjo është një përpjekje për të kushtëzuar votimin për nënkryetarët – një raport i ri që nuk ka të drejtë ta bëjë askush”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse kjo mënyrë e ftesës për takim shihet si shantazh, Haziri u përgjigj prerazi: “Është raport i kushtëzuar, është në mendësinë e zotit Kurti.”

Të ngjashme

Të fundit