Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se kalimi i lidershipit në Partinë Demokratike të Kosovës nga Hashim Thaçi te Kadri Veseli kishte sjellë “një politikë të re”.
Haziri të mërkurën në T7 foli për koalicionin e dikurshëm LDK-PDK dhe kohën kur, sipas tij, mund të ndodhte liberalizimi i vizave dhe mund të bëheshin hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në NATO.
Por problemi, Haziri tha se ishte se “Kosova u atakua me gaz”, duke iu referuar aksioneve opozitare të Lëvizjes Vetëvendosje që tash është në pushtet.
“Mandej gabimi i PDK-së realisht… ndërrimi i z. Thaçi me z. Veseli në lidershipin e PDK-së në atë kohë, solli edhe politikë të re”, tha Haziri.
“Më të mirë?”, e pyeti Artan Behrami.
“Jo. Krijuam mosbesim në koalicion LDK-PDK. Mosbesimi edhe ashtu ka qenë, por erdhi prapë, doli prioritet para agjendës”, tha Haziri.
Ai tha se kishte komunikim të mirë dhe pa probleme mes ish-kryeministrave Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa gjatë qeverisjes LDK-PDK.
“Ka qenë komunikues, bashkëpunues, pa asnjë lloj problemi”, ishte përshkrimi i tij për këtë raport.