Në prag të skadimit të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, shprehet optimist se institucioni kushtetues do të sjellë një vendim të qartë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë vendim të qartë, e ka interpretu kërkesën specifikisht të grupit të deputetëve dhe e ka përkthy frymën kushtetuese në vendime për të gjithë ne, dhe institucionet e Kosovës. Kështu, që unë pres me qenë vendim i qartë e i cili e konfirmon frymën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, LDK ka me respektu”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.
Haziri kritikoi faktin që vendime thelbësore politike po i lihen për t’u zgjidhur nga Gjykata Kushtetuese, gjë që sipas tij është dobësi e madhe e partisë së parë politike në vend.
“E keqja e madhe është që vendimet që duhet me i sjellë politikanët duhet me i interpretu Gjykata Kushtetuese që është dobësia më e madhe, në këtë rast e partisë së parë të politike e cila frymën kushtetuese nuk po e zbaton.”
Nënkryetari i LDK-së akuzoi partinë e parë se nuk ka zbatuar rezultatin e zgjedhjeve që nga data 9 shkurt, duke deformuar qëllimisht frymën e Kushtetutës për qëllime partiake.
“Partia e parë, me vetë faktin që prej 9 shkurtit deri sot nuk e ka zbatu rezultatin e zgjedhjeve, duke qenë parti e parë, e cila ka obligime dhe përgjegjësi po është edhe parti që ka korr rezultatin më të mirë në zgjedhje, e bën të qartë se frymën kushtetuese po e deformon në zbatim po e interpreton në mënyrën siç dëshiron dhe jo ashtu siç është. Nuk mundet me interpretu sipas dëshirës por duhet me lexu dhe me interpretu ashtu siç është ndërtu fryma e kushtetutës. Ne Kushtetutën e Republikës e kemi lexu në parimin e bashkëpunimit, bashkëpunimi është obligim kushtetues.”
Haziri kërkoi që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe të fillojë funksionimi i rregullt institucional, në mënyrë që të hapet rruga për formimin e qeverisë.
“Është hapi i dytë, është hapi tjetër. Me rëndësi që këtë fazë duhet të konstituohet të quhet i konstituuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, të fillon me i ndërtu trupat funksionale e Kuvendi me ndërtu agjendë, planin legjislativ, komisionet parlamentare. Pas kësaj mandatari, Kushtetuta ja jep të drejtën partisë së parë që me marrë mandatari dhe me ndërtu qeverinë, është hap tjetër. Dihet saktë rruga për ndërtimin e qeverisë, dihet saktë sa ditë i ka mandatari i parë, sa ditë i ka mandatari i dytë eventualisht dhe qartësohet rruga. Por është e tolerueshme dhe e padurueshme ecja nëpër terr politik prej 9 shkurtit e deri sot që z. Kurti dhe partia e tij ja kanë shkaktuar Kosovës.”
Sipas urdhëresës kushtetuese, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, institucionet e reja duhet të formohen brenda 30 ditëve. Ky afat është tejkaluar në mënyrë të konsiderueshme, duke pasur parasysh se zgjedhjet u mbajtën në shkurt të këtij viti