Si “një vit të humbur” nën petkun e tensioneve të larta politike e të mungesës së dialogut e ka vlerësuar 2023-tën nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Ai në intervistë për Portalin Dukagjini ka theksuar se situata politike ka shënuar një degradim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Haziri, duke përmendur problemet dhe tensionet e vazhdueshme me vendet e rajonit, ka shtuar se ato ishin shkaku i aspiratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë pjesë në zgjedhje në vende të tjera.
“Probleme e tensione të vazhdueshme me vendet në rajon për shkak të aspiratave të z.Kurti për të marrë pjesë në zgjedhje në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ndërhyrja brutale në zgjedhjet e mbajtura në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë”, ka thënë Haziri.
Fillimisht, Haziri ka nisur me një vlerësim të marrëveshjes me Serbinë, duke theksuar se ajo ka pasuar një rrugë të ndërlikuar, duke u degraduar nga një njohje formale në njohje indirekte.
Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet nga një kundërshtar i madh i saj, në një përqafues të këtij procesi.
Nënkryetari i LDK-së ka bërë thirrje për implementim të shpejtë të Marrëveshjes me Serbinë, duke theksuar se aleatët e tyre presin veprime konkrete nga kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
“ ‘Zajednica’ e z.Kurtit do të formohet, nga një kundërshtar i madh i saj në një përqafues të këtij procesi. Për vitin e ardhshëm, aleatët tanë presin të kenë implementim të marrëveshjes Kurti-Vuçiq. Jemi në pritje të Qeverisë së Kosovës, pasi që Vuçiq vetëm se filloi me implementimin e marrëveshjes për targat RKS, që vjen si rezultat i marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë Haziri.
Haziri ka theksuar se këtë vit nuk ka pasur mjaftueshëm raportime në Kuvend, dhe se raportimet kanë qenë vetëm me kërkesë të opozitës, e për këtë, sipas tij, ka ikur nga përgjegjësia.
Ai ka shtuar se Qeveria Kurti e anashkalon opozitën dhe nuk ka dialog me askënd.
“Ka degraduar shëndetësia, arsimi, po bën lojë me Njësitet e Specializuara të Policisë së Kosovës, mospërmbushje e kërkesave të sindikalistëve të arsimit, shëndetësisë, policisë e të tjerëve. Një numër të madh të vendimeve të tij i ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, e kjo është tregues i qartë se ai nuk po qeveris me Kosovën, por po administron”, ka deklaruar tutje ai.