Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur, duke shtuar se shpreson që presidenti i ri të zgjedhet brenda afatit kushtetues, në të kundërtën ajo do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.
Një ditë më parë ajo deklaroi se është e hapur për të ndihmuar, nëse mundet, për çështjen e presidentit.
Ajo sqaroi më 8 prill pas mbledhjes së kryesisë, se në cilësinë e kryetares së Kuvendit është e gatshme që të kontribuojë duke organizuar takime dhe diskutime me grupet parlamentare, nëse ato vlerësojnë se takime të tilla janë të nevojshme.
“Unë mirëpres vazhdimin e takimeve që kanë ndodhur në ditët që lamë pas. Urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallime dhe të jemi bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për presidentin. Uroj që të mos vijë situata që si ushtruese e detyrës së presidentit të shpall datën e zgjedhjeve sepse siç e dini me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë kur ne përmbushim afatin dhe nuk zgjedhim presidentin”, tha Haxhiu.
Sipas aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese në mars, deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri të vendit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh






