Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar sot lidhur me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
Haxhiu tha se projektligji në fjalë pritet të futet për lexim të dytë në Kuvend, diku ka shtatori i këtij viti.
Ajo këtë përgjigje e dha kur është pyetur në Instagram, gjatë një bashkëbisedimi që pati me qytetarët të cilët e ndjekin atë në këtë rrjet social.
Ministrja Haxhiu tha gjithashtu se ky projektligj tashmë është në Kuvend, duke shtuar se së bashku me Komisionin për Legjislacion do t’i adresojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe më pas ai do të votohet në lexim të dytë.
“Varet sa zgjatet puna e grupit punues. Besoj deri në shtator të këtij viti do të hyjë në fuqi”, tha Haxhiu.
Përpos kësaj ministrja Haxhiu ka folur edhe për votimin e Vetingut në Kuvendin e Kosovës.
Ministrja tha se Qeveria ka planin B, nëse dështon ky votim.
Haxhiu theksoi se Qeveria do të tentojë të arrijë marrëveshje me opozitën për këtë çështje.
“Ne synojmë ndryshimet kushtetuese dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me secilin subjekt politik pra edhe partitë opozitare. Sigurisht që e kemi edhe planin B me ndryshime ligjore”, shkroi ajo.
Tutje ministrja tha se vetingu do të prekë edhe nivelet e larta të Policisë së Kosovës, përpos atyre të gjyqësorit.
“Do të ketë veting për sistemin e drejtësisë dhe për nivelet e larta të policisë. Ministra e Punëve të Brendshme ka themeluar grupin punues për këtë”, përfundoi ajo.