Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu për nder të ditës së gruas bashkë me deputetet e LVV-së ka bërë homazhe te memoriali “Heroinat” në kryeqytet.
Në postimin e saj në Facebook, Haxhiu theksoi se qindra medalione të vegjël në memorial kujtojnë historitë e secilës prej këtyre grave, duke ngarkuar ndërgjegjen tonë me kujtesën e tyre.
“Sot, më 8 Mars, e filluam ditën pranë memorialit Heroinat në Prishtinë, kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Qindra medalione të vegjël na kujtojnë se secili prej tyre ruan një histori që rëndon mbi ndërgjegjen tonë. Në këtë ditë që i kushtohet grave në mbarë botën, kjo kujtesë merr një kuptim edhe më të thellë. I kujtojmë sepse qëndrueshmëria dhe dinjiteti i tyre janë pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive. Kujtesa për to është zotim që drejtësia të mos zbehet dhe që historia e tyre të mbetet pjesë e vetëdijes së Republikës sonë”, shkroi kryeparlamentarja.






