Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, njëherësh ministre e Drejtësisë theksoi se Sami Lushtaku mbrëmë personalisht ka tentuar të sulmojë eskortën e kryeministrit, Albin Kurti.
Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se Lushtaku me veturë zyrtare, 02Z, të Komunës së Skënderajt, e ka pre rrugën e veturës së Kryeministrit me qëllim sulmin.
“Sami Lushtaku mbrëmë personalisht ka tentuar të sulmojë eskortën e Kryeministrit. Ai me veturë zyrtare, 02Z, të Komunës së Skenderajt, e ka pre rrugën e veturës së Kryeministrit me qëllim sulmin.
Dëgjova që disa gazetarë të Klan Kosovës e kanë pyetur Kryeministrin se po i përdorë veturat zyrtare, ndoshta është mirë me e pyet Saminë se prej cilës pompë të benzinës i ke komandu huliganët tu, para se të nisesh si i frustruar”, shkruan ajo.
Telegrafi ka tentuar të marr një përgjigje nga nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Ndryshe, të hënën në mbrëmje në Skenderaj gjatë aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të saj për kryeministër, Albin Kurti, disa individë kanë përdorur mjete të forta dhe piroteknike, si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike.