Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur hap të madh në ndërtimin e besimit në drejtësi ekstradimit e gjilanasit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që dyshohet për krime kibernetike.
Ajo ka deklaruar të mërkurën se ekstradimi i tij “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”. Sipas Haxhiut, ky rast dëshmon që Kosova është vend ku krimi nuk gjen strehim.
“Ekstradimi i një personi të shumëkërkuar për krime kibernetike, është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis. Ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, ka thënë Haxhiu në Facebook.
Autoritetet amerikane kanë njoftuar të martën për ekstradimin e Liridon Masuricës, i njohur si “blackdb”, pasi 33-vjeçari akuzohet se ka mashtruar dhe vjedhur identitete të qytetarëve në internet, me qëllim të përfitimit personal.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Distriktin e Mesëm të Floridës ka njoftuar se nëse faktohen akuzat ndaj Masuricës, i pandehuri mund të dënohet me burgim maksimal deri në 55 vjet burgim.
Ai e ka bërë paraqitjen e parë para autoriteteve amerikane. Iu është shqiptuat masa e ndalimit dhe gjyqin do ta presë në burg