Gazetari Baton Haxhiu ka nxjerrë në pah një moment kritik që shënoi rrugën drejt ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë. Në kujtim të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Haxhiu ka ndarë një ngjarje të ndodhur në kulmin e tensioneve.
Sipas Haxhiut, Madeleine Albright, sekretarja e atëhershme amerikane, kishte humbur durimin pas barbarisë së ngjarjeve në Reçak. Në fjalët e tij, Haxhiu ka përcaktuar këtë moment si një pikë kritike, ku ShBA-ja bëri një kthesë dramatike në vështrimin ndaj diktatorit serb Millosheviq.
Gjatë fjalës, Haxhiu ka theksuar se pas Masakrës së Reçakut, pati një perceptim të qartë se Millosheseviqi nuk po respekton marrëveshjet, duke vendosur një kriter të ri politik.
Ai ka cituar zonjën Albright si një figurë kyçe në atë kohë, duke thënë se ajo kishte humbur durimin.
“Ka ekzistu një marrëveshje dhe një parakusht se si do të duken rrethanat politike dhe zgjidhjet politike në Kosovë. Masakra e Reçakut realisht e vendosi një kriter të ri politik: Millosheseviqi nuk respekton asnjë marrëveshje”, tha Haxhiu.
“Aty zonja Albright e kishte humbur durimin dhe ajo është e famshmja e dosjeve të Clinton që i bën të hapura e flet për ngushmërinë që duhet t’i vihet fundi Millosheviqit”, tha ai.