Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kongresistit, mikut të Kosovës, Eliot Engel.
“Kosova sot humbi mikun e dëshmuar, kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili ishte përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë sonë”.
“Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, shkroi Haxhiu.
E para e Kuvendit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e përhershme e historisë sonë”, tha Haxhiu.






