Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklarimit të Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar qëndrimin e Institucionit të Avokatit të Popullit të çuditshëm dhe të padrejtë.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka kritikuar Avokatin e Popullit për, siç tha ajo, fokusim të padrejtë ndaj çështjes së Listës Serbe, duke kujtuar se ky subjekt politik “nuk e njeh rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe se “nuk është distancuar” nga sulmi i armatosur në Banjskë.
Ajo ka përmendur gjithashtu faktin që Lista Serbe ka pasur në udhëheqje Milan Radojçiqin, i cili nga autoritetet kosovare konsiderohet si organizator i sulmit në Banjskë.
“Është e pakuptimtë që Avokati i Popullit shpreh shqetësim për një subjekt që ka mbajtur tre ditë zie për personat e vrarë në atë sulm. Ndërkohë, nuk është shprehur asnjëherë për vështirësitë që po i shkaktohen votimit të mërgatës”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, KQZ nuk po ushtron diskriminim ndaj komunitetit serb, duke theksuar se disa subjekte të tjera serbe tashmë janë certifikuar për zgjedhje.
“Institucioni i Avokatit të Popullit nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe janë të njohura dhe të justifikuara”, ka përfunduar ajo.






