Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik, duke theksuar se asnjë grup etnik nuk ka të drejtë vetoje mbi institucionet shtetërore.
Ajo kritikoi përpjekjet e Listës Serbe për të përdorur vendet e rezervuara si mjet bllokues për konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e qeverisë, duke i cilësuar ato si kërcënim direkt për demokracinë në vend.
“Ndërlidhet me komentet që ne kemi dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese. Dua të theksoj se shteti ynë është shtet unitar dhe jo shtet multietnik. Në shtetin tonë të shpallur të pavarur në vitin 2008, asnjë grup etnik nuk e ka të drejtën e vetos mbi organet tona. Qytetarët e kësaj Republike janë të barabartë. Gjykata Kushtetuese nuk e ka as komoditetin dhe as legjitimitetin që të gërmojë në themelet e Kushtetutës për të shtuar diçka. Është e papranueshme që një parti politike – në këtë rast Lista Serbe, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës – të përdorë vendet e rezervuara si mjet për konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e Qeverisë. Kjo sjellje përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka as kompetencë e as legjitimitet të ndërhyjë në themelin kushtetues për të ndryshuar apo shtuar diçka.
“Kërkesa e Listës Serbe dhe përpjekjet e saj për të monopolizuar vendet e rezervuara përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe demokratike. Gjykata Kushtetuese nuk duhet të njohë asnjë pretendim në këtë rast të Listës Serbe, e cila synon të pengojë konstituimin e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese as nuk e ka këtë kompetencë, e as këtë legjitimitet për të ndërhyrë në ligjet kushtetuese dhe për të ndryshuar apo shtuar diçka në to. Në kuadër të procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, është themelore të theksohet se jemi shtet sovran dhe i pavarur, ku funksionimi i institucioneve është i domosdoshëm”, shtoi ajo.
Haxhiu tha se nuk ka informacione nëse opozita ka dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese..
“Mendoj që secili deputet i Kuvendit të Kosovës, secili subjekt – sidomos partitë shqiptare – ka qenë e rëndësishme që të dorëzonin komente në Gjykatën Kushtetuese. Është e rëndësishme që ta mbrojmë shtetin tonë.
Në këtë drejtim, ju ftoj edhe juve që të pyesni partitë opozitare nëse kanë dorëzuar komente. Është e rëndësishme që në këtë betejë të ishim bashkë. Por vetë fakti që ata nuk i siguruan as 5 vota që Nenad Rashiq të zgjidhej nënkryetar, është i mjaftueshëm për të kuptuar pozicionin e partisë dhe kush po e bën avokatin e Listës Serbe.
Për ne ka qenë e papranueshme masa që ka marrë Gjykata Kushtetuese,” tha ajo.