Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në emisionin DPT Te Fidani, ka thënë se ishte kundër takimit mes shefit të partisë së tij, Memli Krasniqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Ani pse ka qenë kundër, Haxhiu ka thënë se darka e ndërroi agjendën e partive politike, mediave dhe shoqërisë civile.
“Personalisht kam qenë kundër për të shkuar në darkë me Albin Kurtin. Para kësaj iniciative mendimi im ka qenë që shefi i grupit parlamentar të PDK-së të flasë me Kryetarin e Kuvendit dhe jo me kryeministrin Kurti sepse ai ka dështuar ta sjellë ligjin për shëndetësinë, ligjin për sigurimet shëndetësore, me ligjin për barnat që ka kaluar në Kuvend, vetëm sa janë shtrenjtuar barnat”, ka thënë Haxhiu.
Për tre vjet e gjysmë të qeverisjes së tij, sipas Haxhiut, nuk ka arritur ta sjellë në Kuvend strategjinë për shëndetësinë.
“Kërkesa ime ka qenë që me Albin Kurtin të diskutohet në institucione dhe në mënyrë institucionale për çështje që janë në interes të shtetit të Kosovës. Kurti nuk ka lënë hapësirë që të ketë komunikim normal”, ka thënë deputeti i PDK-së.
“Mirëpo mendoj se darka e ka dhënë një mesazh, këtu e ka një meritë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sepse e ka ndryshuar agjendën e takimit. Nga ajo darkë tema ka qenë zgjedhjet. PDK-ja ua ofroi mundësinë dy partive të tjera opozitare që të ndërpritet kjo keqqeverisje duke shkuar në zgjedhje. Për fat të keq nuk pat ndonjë mbështetje që të sigurohen votat për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë ai.
Haxhiu ka shtuar se është e palogjikshme të pritet për dorëheqjen e Kurtit.
“Duke e njohur Albin Kurtin se si ka ardhur në pushtet, duke u përgjakur rrugëve të Prishtinës, është goxha naive që të mendojmë se do të japë dorëheqje vetëm pse po ia kërkojnë partitë opozitare, është pak edhe e palogjikshme. Mirë që e bindëm ta shpërndajë Kuvendin sepse deputetët që i ka i binden 100 për qind”, ka thënë Haxhiu.