Haxhiu: Integriteti i medias dhe mbrojtja e hapësirës informative do të trajtohen si prioritet legjislativ dhe institucional

- Advertisement -

 

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, ka mbajtur sot një fjalim në Konferencën “Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit”, ku theksoi se transformimi i mënyrës se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni ka ndryshuar thelbësisht edhe vetë kuptimin e lirisë së medias.

 

Ajo vuri në dukje se qasja tradicionale, e cila e lidh lirinë e medias kryesisht me raportin mes medias dhe qeverisë, nuk mjafton më për të shpjeguar realitetin aktual. Sipas saj, sot liria e medias përcaktohet gjithnjë e më shumë nga raporti me pushtetin real, që ushtrohet përmes pronësisë, financimit dhe përqendrimit të kapaciteteve ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt në përmbajtjen mediale.

 

Në këtë kontekst, Kryetarja Haxhiu theksoi se në shumë raste autonomia redaksionale mbetet seriozisht e kufizuar, ndërsa ndikimi ekonomik reflektohet në mënyrën se si përzgjidhen temat, si ndërtohen narrativat dhe çfarë arrin të bëhet pjesë e raportimit publik.

 

Ajo theksoi se përqendrimi i pronësisë dhe ndikimi i interesave ekonomike në hapësirën mediale janë çështje të evidentuara vazhdimisht edhe në raportet ndërkombëtare, por që jo gjithmonë marrin trajtimin dhe debatin e nevojshëm në vetë mediat.

 

Sipas saj, mungesa e transparencës financiare krijon hapësirë për ndikim të padukshëm dhe e bën të vështirë dallimin mes raportimit të pavarur dhe përmbajtjes së ndikuar, duke e bërë dezinformimin pjesë të një logjike më të gjerë ndikimi në hapësirën publike.

 

Kryetarja Haxhiu paralajmëroi se përhapja e përmbajtjeve të manipuluara dhe ndikimi i strukturave të padukshme jo vetëm që dëmtojnë besimin në institucione dhe në ekspertizë profesionale, por kontribuojnë edhe në thellimin e polarizimit shoqëror dhe rritjen e cenueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme.

 

Ajo theksoi se, në këto rrethana, dezinformimi nuk mund të trajtohet më si fenomen i izoluar mediatik, por si çështje që lidhet drejtpërdrejt me integritetin e hapësirës informative dhe me dimensione të sigurisë.

 

Duke folur për zhvillimet teknologjike, Kryetarja Haxhiu theksoi se inteligjenca artificiale po e ndryshon natyrën e përmbajtjes, duke mundësuar prodhimin dhe shpërndarjen masive të materialeve që duken autentike, por që mund të jenë të fabrikuara, duke e bërë edhe më të vështirë verifikimin dhe duke rritur rrezikun e manipulimit të opinionit publik.

 

Në përfundim, Kryetarja e Kuvendit theksoi se integriteti i medias dhe mbrojtja e hapësirës informative duhet të trajtohen si prioritet legjislativ dhe institucional.

 

Ajo u zotua se Kuvendi do të nxisë debat të hapur dhe të strukturuar, do të kërkojë llogaridhënie nga institucionet përkatëse dhe do të angazhohet për ndërtimin e një kornize më të plotë ligjore, në përputhje me standardet evropiane, me qëllim forcimin e transparencës, mbrojtjen e integritetit të informacionit dhe rritjen e besimit publik.

 

Të ngjashme

Të fundit