Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, ka reaguar në lidhje me vendimin e serbëve për të dalë nga institucionet e Kosovës, duke thënë se vendimet e qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme.
Në reagimin e saj të bërë në Facebook, Haxhiu, ka kritikuar edhe opozitën duke thënë se, qëndrimet e kësaj të fundit janë për keqardhje dhe të turpshme.
Tutje, ajo ka deklaruar se opozita e sotme, apo siç ka thënë ajo, qeveria e djeshme as atëherë e as tash nuk mbështesnin vendimet e drejta.
Haxhiu ka shkuar edhe më tej, duke thënë se sipas saj, opozita dëshiron që qeveria t’i lëshojë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit.
Gjë e të cilën, sipas Haxhiut, disa e bëjnë për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti.
“Vendimet e Qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme. Qëllimi i tyre është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial prandaj edhe do të duhej të kishte unifikim rreth tyre. Janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare. Fatkeqësisht opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme. Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, ka thënë Haxhiu.