Deputetet e Kuvendit të Kosovës organizuan sot tryezë diskutimi lidhur me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen në Kosovë. Aty u tha se fuqizimi i grave ndodh vetëm kur ato pavarësohen ekonomikisht.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e grupit të grave deputete në Kuvend, Tinka Kurti u shpreh se krahas punësimit të grave duhet të punohet edhe tek edukimi i hershëm në fëmijëri.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se janë në hartimin e masave që krahas punësimit të grave të punësohen edhe viktimat e dhunës në familje.
Krahas kësaj, ajo tha se rreth 5000 gra janë punësuar përmes masave të Qeverisë së Kosovës.
“Si ministre e Drejtësisë brenda mandatit qeverisës kam qenë e përkushtuar në fuqizimin dhe pavarësinë ekonomike të vajzave dhe grave. Realisht gratë i fuqizojmë vetëm kur ato pavarësohen ekonomikisht..”, shtoi Haxhiu.
Kurse, udhëheqësja e Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim, Sandra Horina tha se dhuna në familje është rritur për 30 për qind në Kosovë. Sipas saj, pandemia dhe kriza ekonomike po prek më shumë gratë.
Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë edhe deputete të tjera të Kuvendit, ku theksuan nevojën e fuqizimit të rolit të gruas, derisa u konsiderua shqetësuese që vetëm 20 për qind e grave janë në tregun e punës në Kosovë