Deputetja e zgjedhur e VV’së, Albulena Haxhiu, ka publikuar një video nga viti 2014 kur Hashim Thaçi shihet duke votuar si deputet derisa ishte kryeministër në detyrë.
“Për opozitarët dhe hipokrizinë me veprimin e sotëm e deklarimet e tyre. Ja një shembull tipik për të kuptuar ata që situata e sotme nuk përbën asgjë ndryshe nga praktikat e mëhershme”, ka shkruar ajo.
Kjo është si përgjigje ndaj mosvotimit të raportit të komisionit për verifikimin e mandateve nga PDK, LDK e AAK. Të tri partitë opozitare kërkuan fillimisht dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë për të vazhduar me votimin e raportit.
Mirëpo ministrja e “dorëhequr” e Drejtësisë nuk e ka përmendur nenin 26 të Ligjit për Qeverinë që është miratuar në vitin 2022, pra nën udhëheqjen e VV’së, paragrafi i parë i të cilit thotë: “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”