Shpallësi i Pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri e ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në intervistën ultra ekskluzive në Rubikon në Klan Kosova ka folur edhe për rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e luajtën në çlirimin e vendit.
Thaçi e konsideron se asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar më i suksesshëm sesa ai i NATO-s në Kosovë, gjë për të cilën tha se pa rolin lider të ShBA-së, Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë.
“Asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar me i suksesshëm sesa në Kosovë. Është fakt i pamohueshëm, ishte punë e përbashkët e SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Por, pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë”, tha Thaçi në Rubikon, njofton Klankosova.tv.
Thaçi tutje foli edhe për bashkëpunimin me BE-në dhe vendet e tjera, bashkëpunim për të cilin tha se ishte interlokutori prej kryesorëve.
“Sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera perëndimore – kam qenë interlokutori prej kryesorëve. Bashkëpunimin e vlerësoj cilësor. Kemi pasur edhe gjëra qe nuk jemi pajtuar, për çka jam deklaruar edhe publikisht. Jam i sigurt SHBA dhe Perëndimi e duan Kosovën më të përparuar”, tha ai.