25.7 C
New York
Saturday, May 3, 2025

Buy now

Hashim kthehu e na i mbroj mediat, aman!

nga Col Mehmeti

E dua marrëzisht logjikën fjalësajuese të shqipes dhe sa bukur dyfjalëshi ‘fake news’ do të shqipkthehej si ‘lajmrrena’. Si satani biblik që shtin fesat e dyshim kudo, Kurti ia doli që urrejtjen e tij ndaj medias ta shndërrojë në urrejtje të përgjithshme kulturore kundër medias. Nga qymezi ku ishte fshehur si ilegalc, ai më 2016 i dha dorë një teksti i cili një të huaji që s’e njeh Kosovën do t’i dukej se e ka shkruar qenushi i Putinit, Aleksandr Dugin. Shoqëria te ne, shkruante Dugini kosovar, është analfabete funksionale dhe ajo merret me thashetheme. “Qëndrimet tona duhet t’i përhapim si thashetheme”, porosiste njeriu që më 9 shkurt të këtij viti u votua prej 337,791 njerëzve.

Col Mehmeti

Gazetaribërja nuk e kënaq asnjërin e as nuk i bie askujt tamam.

Kur e qep një tekst të shkurtër, të thonë “Pse nuk shkruan më gjatë?”

Kur e qep tekstin tjetër të gjatë, të thonë “Ihhh, nuk kam nerva të lexoj gjatë. Pse s’i re më shkurt…”

Kur shkruan për politikë, të thonë “Pse nuk shkruan, jaran, për mjedisin, për natyrën, për ndonjë temë edukative?”

Kur shkruan për fshatin e botën e periferisë, të thonë “Pse nuk e thua asnjë fjalë për veriun, për shtrirjen e sovranitetit atje? Pak të duket kjo gjë?”

Kur e bën një kronikë nga atje dhe e sheh që veriu është njësoj i largët siç ishte dikur, të thonë “Pse nuk shkruan asnjë rresht për hajnat dhe të korruptuarit?”

Kur shkruan për hajnat e profilit të lartë në qeveri, të thonë “Këta të pengojnë ty, por nuk të pengojnë ata hajnat e vjetër?”

Dhe pastaj kur shkruan gjerë e gjatë për hajna të rinj e të vjetër, të ligave sipërore e inferiore, të thonë vetullvrenjtur: “Na lodhët veç zi e terr, po pse nuk ju bën zemra për të shkruar për diçka pozitive?”

Kur pena e gazetarit sjell histori të dikurshme për njat Skënderbé, Lidhje Shqiptare e Perandori Osmane me feza, ushkura e shallvare, të thonë “Shkruaj për sot, aman, se jemi në 2025-ën!”

Por, kurdo që dikujt i digjet bishti, nuk i shtrohet asfalti te dera, nuk pranohet në punë, i bëhet hile në konkurs, ai nuk e huq dakikun e të thërret në telefon: “O i nderuari gazetar, ky e ky ma bënë me hile…”

Kjo ylberësi standardesh të shumëfishta dëfton se trysnia që vjen prej publikut nuk është as pozitive dhe as e hajrit – kësodore, asnjë politikë apo vizion mediatik nuk duhet ta ketë atë si udhëzues.

Ky publik me standarde të poshtra e do vetëm atë lloj mediumi që i rrit dopaminën e kënaqësisë, pra pafund reels-a e video të shkurtra me mediokritetin banal të jetës si lëndë e parë.

Ky konsumues mediokriteti mandej jashtëqet budallëqe: “Eh, gazetarët kanë liri të tepruar….”

Prandaj nuk është e çuditshme që vetëm një burrë shteti u tregua parimisht i lartë me medien. Hashim Thaçi!

Një koncert i tërë mediash e shanë pa i lënë kusur, me goditje nën brez, me gjysmë të vërteta të maskuara si të vërteta ose me të vërteta të thëna me keqdashësi.

A nuk thoshte dikur William Blake që një një e vërtetë e thënë me nijet të keq e tejkalon secilën rrenë që rradakja e njeriut e sajon. (Auguries of Innocence: “A truth that’s told with bad intent. Beats all the lies you can invent”)

Prej pasluftës e deri më 2020, Thaçi i madh nuk e prishi terezinë e as nuk i quajti ‘media kazani’ siç i quan Edi i përtej Drinit.

“Ju dua”, ishte përgjigjja e tij flegmetike.

E shau çdo medium e çdo ngjyrë medie: e shau ‘Koha’, e shau ‘Express’-i, e shau ‘Bota Sot’…madje e shau edhe një medium shpirtngushtë gjoja i dalë nga lufta si ‘Radio Kosova e Lirë’.

Dhe Hashimi i madh sa jeta qeshte e nuk hidhërohej: “Ju lexoj gjithë kohën” dhe një ha-ha-ha me dridhje supesh i jepte vulën qësendisë së tij aspak toksike.

***

Tragjizmi i vërtetë nuk është te rënia e pingultë e Kosovës në treguesin për lirinë e medies.

Tragjizmi është se partia që sundon-e-qeveris Kosovën arriti ta bëjë urrejtjen e saj ndaj medies së lirë si urrejtje të përgjithshme kulturore ndaj medies.

Guxoj të them se raporti pushtet vis-à-vis medie është më pak problematik sesa raporti pushtet vis-à-vis medie. Pse, pashë besën?

Krejt dija jonë mbi publiken vjen nga mediat – çdo qëndrim a atitudë e jona trajtësohet nga ajo që është raportuar dhe kronikuar nga mediat.

Por, publiku prapë shkrofëtin e turfullon kundër medies tek e cila nuk po e gjen se nuk po e gjen validimin e duhur.

Kësisoj, ne vijmë te ajo gjendja e frustruar kur pasqyra fajësohet për shëmtinë, ku kamera e telefonit e ka fajin që subjekti del jashtë çdo projektimi dëshiror për veten.

Njësoj si VV-ja talibane, edhe publiku preferon që t’i ketë të vetat kallëpe jokonvencionale mediash, aso tek të cilat paketohen e qarkullohen lehtësisht budallëqet e misticizmat, ato me të cilat rritet e gufon shpirti popullor.

Le ta marrim një shembull.

Në nëntor të 2016-s, ai që ishte kryeministër i Kosovës (2020-2025) e shkrehu rrenën më malicioze të prodhuar ndonjëherë në këto anë.

Për vetëvrasjen e aktivistit Astrit Dehari, ai tha faqazi e me siguri budallai: “Pushteti e vrau në qelinë e burgut…atij iu zu fryma me shishe plastike…”

Nga ajo ditë e deri më sot, kjo rrenë e fitoi fronin e së vërtetës për një pjesë të madhe të publikut – pavarësisht çdo raporti vendor e të huaj që e provoi pikërisht të kundërtën e pohimit të tij.

Misticizmat e gjysmë të vërtetat jetojnë me zë të ulët e murmuritje veç në muhabete kafenesh, në shtëpi private e qymeze.

Ato tuten, ashtu si vampiri nga drita e diellit, nëse i nënshtrohen bisturit të gazetarit e medies.

Rrena e përbindshme e llojit “Astritin na e vranë” nuk mbijeton dot përballë një zhbirimi gazetaresk ku zgjerohen anëpamjet, citohen raportet mjekoligjore dhe fjala u jepet autoriteteve mjekësore e hetimore.

***

Media nuk e prodhoi lajmrrenën (fake news), por e gjeti midis nesh të kultivuar prej bosësh të narkoideologjive.

Media ishte polici i parë që hyri në plantacion, i shkuli me rrënjë ato dhe disa laperë edhe i vuri në prangat e përgjegjësisë.

Se kush e prodhoi lajmrrenën dhe e bëri sistematike atë, kjo dihet.

Në vitin 2016, ky që deri në mars ishte kryeministër i Kosovës, nga qymezët ku rrinte i fshehur si ilegalc, përpiloi një dokument për efikasitetin e propagandës së partisë së tij.

Po ta lexonte një i huaj që nuk e njeh Kosovën, hamendja e tij do të ishte se autori i vërtetë është Aleksandr Dugin-i i fantazisë popullore ruse.

Në një letër interne, Kurti rrahmendej se thashethemet kryejnë punë në një shoqëri si kjo e jona, “ku analfabetizmi funksional (ku qytetarët i dinë germat por bëjnë shumë gabime në drejtshkrim e gramatikë) ka përfshirë afër 40% të popullsisë.”

Sipas teorizimeve të tij shqeto, thashethemet janë burim i (dez)informacionit, andaj “qëndrimet tona duhet të përhapen si thashetheme.”

Kur e dëgjon produktin e VV-së në formën e një njeriu të thjeshtë e të pasinqertë duke thënë “Unë, vallahi, i bojkotoj mediat”, kjo nuk duhet lexuar si hakërrim idhnak prej militanti shpresëshkatërruar.

Kjo duhet psiko-lexuar si “Unë e urrej median që nuk ma jep atë që dua ta besoj”

Latinçe thonë “Sat Sapienti Est” (Boll u tha për atë që është i mençur).

Të ngjashme

Të fundit