Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk ka asnjë dilemë se Neni 90 i Kushtetutës vlen edhe me rastin e përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani nuk paraqet situatë të paprecedentë.
Hasani tha se në rastin konkret bëhet fjalë për një vakancë që krijohet me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, një çështje që është sqaruar nga aktgjykimi i vitit 2011 pas largimit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.
“Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e ndërtuar pas largimit të zotit Behxhet Pacolli”, ka deklaruar Hasani.
“Ai aktgjykim dhe ajo praktikë e bëjnë të qartë se Kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, ngjitet një nivel më lart të ndërtesës së Kuvendit dhe nis ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësive të shefit të shtetit për një periudhë deri në gjashtë muaj, jo më shumë”, ka thënë ai për “Papracin”.
Në këto rrethana ai thekson nuk nevojitet as votim në Kuvend dhe as ndonjë autorizim nga presidentja në largim.
Hasani shtoi se kalimi i kompetencave te kryetarja e Kuvendit bëhet automatikisht, bazuar në rendin kushtetues dhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, praktika e njëjtë është ndjekur edhe në rastet e mëhershme, si pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, kur ushtrimin e detyrës e mori kryetarja e Kuvendit, asokohe Vjosa Osmani.






